Gjykata Supreme: Do t’i ndjekim penalisht përgjegjësit e Pallatit të Drejtësisë

  • 09 February 2016 - 14:48
Gjykata Supreme: Do t’i ndjekim penalisht përgjegjësit e Pallatit të Drejtësisë

Gjykata Supreme e Kosovës, përmes një reagimi dërguar mediave, ka kërcënuar se do t’i ndjekë penalisht kompetentët për mbajtjen sekret të ekspertizës profesionale ku konstatohet se oksigjeni në Pallatin e Drejtësisë është 11 herë nën normat e lejuara.

Kjo Gjykatë, në reagimin e saj, ka thënë se e kanë pritur me shqetësimin publikimin në media të kësaj ekspertize profesionale, e cila ka qenë e autorizuar nga Prokuroria, e ku konstatohet gjendja e rëndë me oksigjen në këtë ndërtesë.

Në këtë ekspertizë, siç citojnë mediat, ambienti brenda pallatit është i rrezikshëm për shëndetin e njerëzve.

“Të ballafaquar me pasojat e kësaj gjendjeje, gjyqtarët dhe stafi i Gjykatës Supreme është dashtë disa herë të kërkojnë ndihmë mjekësore. Dhimbjet e kokës, syve, gjakderdhje nga hunda, plogështi dhe marramendje, janë vetëm disa nga simptomat që manifestohen te shumica e stafit në këtë gjykatë”, thuhet në reagimin e Gjykatës Supreme të Kosovës, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Ndaj, të shqetësuar thellë për mos-reagimin institucional të organeve kompetente, të habitur me mbajtjen sekret të ekspertizës, “kërkojmë hapa urgjentë në sanimin e gjendjes, në mënyrë që të mbrohet jeta dhe shëndeti i individit”.

Gjykata thotë se edhe përkundër adresimit të problemeve të shfaqura në Pallat, nuk është parë asnjë përmirësim në këtë drejtim, ndaj kjo gjykatë kërkon që “sa më shpejt të intervenohet në hapjen e dritareve, pasi sistemi i ventilimit është dëshmuar joefikas, ndërkohë që jeta jonë po rrezikohet çdo ditë”.

“Nëse përkundër gjithë këtyre reagimeve, kompetentët nuk ndërmarrin hapat e nevojshëm për të sanuar gjendjen këtu, personat përgjegjës, për lëshimet e tilla, do të përgjigjen edhe penalisht për mosveprim”, përfundon reagimi i Gjykatës Supreme të Kosovës. 

(Kosova Sot)