Turqia sivjet synon 155.5 miliardë dollarë eksporte

  • 09 February 2016 - 16:10
Turqia sivjet synon 155.5 miliardë dollarë eksporte

Ministri turk i Ekonomisë, Mustafa Elitas, deklaroi se synimi i Turqisë për këtë vit në eksport është 155,5 miliardë dollarë.

Elitas shpalosi sot objektivat e Turqisë për eksportin e 2016-s gjatë një takimi me biznesmenë anëtarë të Bordit të Marrëdhënieve Ekonomike të Jashtme në kryeqytetin Ashkabad të Turkmenisë, ku ai shkoi për të realizuar një sërë kontaktesh në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.

Shefi i ekonomisë turke theksoi se rënia e çmimeve të naftës ka sjellë me vete edhe uljen e kostove.

“Rënia e kostove të hyrjes (input) ka filluar të ulë poshtë shifrat tona të eksportit nga aspekti monetar. Ndërkohë që eksporti ynë po shënon rritje në aspektin sasior, në atë monetar po del në pah një pakësim. Tani, synimi ynë është të ngremë në një nivel më të lartë rritjen sasiore të eksportit dhe të demonstrojmë një rendiment më të madh në krahasim me 2015-n dhe me vitet e mëparshme", - tha ai.

Ministri turk i Ekonomisë u ndal gjithashtu mbi krizën e avionit me Rusinë.

Ai nënvizoi se eksporti drejt Rusisë nuk zë një vend me peshë në shifrat totale të eksportit turk, pasi ai formon vetëm 2,5% të eksportit të përgjithshëm të Turqisë dhe i konvertuar në shifra është rreth 3,5 miliardë dollarë.

Ndërsa po ta shikojmë nga këndvështrimi i një vendi fqinj, vijoi Mustafa Elitas, kjo është një çështje me rëndësi; sepse Turqia, për shkak të retorizmit dhe veprimeve të tepruara të Rusisë pas krizës së fundit të avionit, ka filluar kërkimin e tregjeve të reja. 

(Kosova Sot)