Maloku: Presidenti të zgjidhet nga vota e popullit

  • 09 February 2016 - 18:52
Maloku: Presidenti të zgjidhet nga vota e popullit

Politologu Albinot Maloku është i mendimit që presidenti duhet të zgjidhet nga populli, gjë e cila do krijonte një figurë që do jepte llogari te populli e jo te subjektet e caktuara politike.

"Presidenti apo presidentja e ardhshme e Kosovës, për të dëshmuar seriozitetin politik të spektrit vendimmarrës aktual në vend, duhet të zgjidhet nga populli dhe kjo jo vetëm që sjell stabilitet institucional, sidomos të Presidencës, por e bën të mundshme zgjedhjen e një personaliteti, i cili ato funksione që i ka si shef shteti t'i ushtrojë me kompetencë e respekt nga verdikti i popullit, duke i dhënë llogari vetëm popullit, e në asnjë mënyrë subjektit ose subjekteve politike në koalicion, apo edhe faktorit ndërkombëtar'', tha Maloku, në një prononcim për gazetën Kosova Sot Online.

"Si pasojë e mënyrës së zgjedhjes së deritanishme të presidentit të Republikës së Kosovës, kemi pasur edhe kriza politike, edhe marrëveshje që e kanë degraduar postin e presidentit, edhe presidente prej zarfit, edhe shkelje të Kushtetutës dhe të procedurave të zgjedhjes së presidentit nga Kuvendi i Kosovës'', shtoi ai.

(Kosova Sot)