Varfëria dhe sëmundja e burrit ia bëjnë jetën ferr Valentinës

  • 09 February 2016 - 19:18
Varfëria dhe sëmundja e burrit ia bëjnë jetën ferr Valentinës

Ajeti u sëmurë psikikisht nga tmerret dhe barbaritë e luftës që përjetoi

“Nga çrregullimet e kohëpaskohshme mendore, Ajeti nuk është i aftë të punojë edhe kur dikush e fton për të punuar. Nuk është agresiv, por i paparashikueshëm. Kur ka qaste të mira ta merr mendja se djalë më të mirë nuk ka, por në qaste të tjera bëhet i paparashikueshëm”, thotë bashkëshortja e Ajetit, Valentina Berisha

Familja e Ajet Berishës, nga fshati Jabllanicë e Madhe e komunës së Pejës, është njëra nga më shumë se 500 familjet skamnore që janë të evidentuara nga Kryqi i Kuq i Kosovës, Dega në Pejë. Ata në ketë pikë dimri presin që dikush nga njerëzit e vullnetit të mirë t’ua shtrijë dorën dhe t’i ndihmojë me të mira materiale që ta përballojnë më lehtë varfërinë që po ua shtrëngon lakun në fyt. Valentina Berisha, bashkëshortja e Ajet Berishës, familje kjo e fshatit Jabllanicë e Madhe e Podgurit – Anadrinit të komunës së Pejës, thotë se jeta po i bëhet gjithnjë e më e padurueshme, në njërën anë e ka kapluar skamja e në anën tjetër gjendja jo e mirë shëndetësore e bashkëshortit të saj, Ajetit, i cili që nga paslufta ka probleme mentale. Ai nga çrregullimet e kohëpaskohshme mendore nuk është i aftë të punojë edhe kur dikush e fton për të punuar, nuk është agresiv, por i paparashikueshëm. “Kur ka qaste të mira ta merr mendja se djalë  më të mirë nuk ka, por në qaste të tjera bëhet i paparashikueshëm”, thotë bashkëshortja e tij, Valentina, e cila jeton në një shtëpi përdhes me vjehrrën, nënën e Ajetit dhe me vajzën, Teutën, katërvjeçare.

Valentina me vjehrrën merren me bujqësi, për të mundur skamjen

Valentina që katër vjet merret me punë të bujqësisë dhe shprehet për gazetën se nga toka së bashku më vjehrrën e nxjerrim kafshatën e gojës. “Po të mos ishte nëna e Ajetit, pra vjehrra e ime, nuk do t’ia dilja me bashkëshortin tim të sëmurë. E kemi të vështirë, por Zoti po na ndihmon dhe po jetojmë me shpresë se edhe Ajeti do të bëjë më mirë, do ta mund sëmundjen dhe terapitë e mjekut do ta qetësojnë dhe t’i kthehet jetës normale”, shprehet me shpresë Valentina Berisha, bashkëshortja e Ajetit.  Derisa Valentina qante hallin e saj, vajza e Ajet Berishës dhe e Valentinës, Teuta, katërvjeçare, kishte marrë njërën nga qeset e plastikës me ndihma, të cilën ua kishin sjellë nga Kryqi i Kuq së bashku edhe me gjësende të tjera ushqimore. (Më gjerësisht mund t'a lexoni në numrin e sotëm të gazetës KOSOVA SOT)