Riciklimi në UP: Senati dhe Këshilli i “ri”, me ata që ishin kundër rektorit!?

  • 09 February 2016 - 20:02
Riciklimi në UP: Senati dhe Këshilli i “ri”, me ata që ishin kundër rektorit!?

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për organe të Universitetit të Prishtinës duket se do të sjellin riciklim të plotë të strukturave udhëheqëse të Universitetit.

Kryesues i Senatit të Universitetit, në zgjedhjet e fundit të mbajtura në UP është zgjedhur Musli Bajraktari, ish-dekan i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike dhe nënshkruesi i dytë i peticionit për shkarkimin e rektorit Ramadan Zejnullahu.

Krahas tij, në Senat do të jetë edhe nismëtari i këtij peticioni, Bujar Dugolli, i cili u rizgjodh dekan i Fakultetit Filozofik.

Po ashtu, anëtarë të Senatit do të jenë edhe profesorë të tjerë që vunë nënshkrimet e tyre në peticionin për shkarkimin e rektorit, si: Naser Kabashi, Haxhi Gashi, Avni Puka, Ethem Çeku, Naser Pajaziti, Tahir Arbneshi, Jehona Lushaku, Enver Hamiti dhe Sabrije Osmanaj.

Pritet që brenda javës të zgjidhet edhe përbërja e re e Këshillit Drejtues. Burime të Telegrafit brenda Senatit të UP-së mësojmë se ekziston marrëveshja që Senati ta rizgjedh pesëshen e tanishme të Këshillit Drejtues: Beqir Sadikaj, Zeqir Veseli, Alberta Troni, Kemajl Bislimi dhe Fevzi Berisha.

Katër të parët (në këtë pesëshë të Këshillit Drejtues) kanë aplikuar për anëtarë të Këshillit të hënën, ndërsa pritet që edhe Fevzi Berisha të aplikojë të martën ose të mërkurën. Është pikërisht kjo pesëshja që, bashkë me Shefkije Islamajn, mori vendimin për shkarkimin e rektorit Zejnullahu në tetorin e vitit të kaluar. Por, përderisa Shefkije Islamaj u shkarkua nga ministri Arsim Bajrami, pesë të tjerët vazhduan të jenë anëtarë të Këshillit Drejtues dhe ishin përgjegjës për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.