Vajza e re po vdes nga kanceri, i njëjti që ia mori nënën e saj

  • 09 February 2016 - 22:41
Vajza e re po vdes nga kanceri, i njëjti që ia mori nënën e saj

Laura Saull është duke vdekur ngadalë nga kanceri që ia kishte marrë jetën nënës së saj dhe për të cilin doktorët i kishin thënë që ajo ishte shumë e re për t’u prekur nga kjo formë kanceri. Laura, që tanimë është 27-vjeçare, ka kujtuar se si iu ishte përgjëruar doktorëve për ta testuar, pasi që kishte vërejtur ndryshime në gjoksin e saj, mirëpo ishte kthyer në shtëpi me ilaçe kundër ankthit. Tani, në njërin prej rasteve më mizore të përsëritjes së historisë, vajza e guximshme, që po lufton për ta pasur një mundësi për mbijetesë, po e ndjek rrugën e nënës së vet – atë drejt varrit të hershëm. “Ndihem sikur ma kanë marrë jetën dhe tani pres të përballem me dënimin me vdekje”, ka thënë Laura. “Ata më kanë dënuar mua me betejën, të cilën e ka luftuar edhe nëna ime”, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

“Mundohem që çdo ditë të zgjohem me gëzim e hare”

Laura ka vendosur të flet për këtë çështje pasi që nuk dëshiron që një tjetër person i ri të kalojë nëpër ato që është duke kaluar ajo. “Kanceri nuk zgjedhë moshë. Besoj që sikur ta kishin vërejtur kancerin një vit më herët sesa që e kanë vërejtur, ai nuk do të ishte terminal, siç është sot”, ka shtuar ajo. Kjo është një betejë të cilën Laura nuk mund ta fitojë. Në kohën kur ajo ishte dërguar për skanime, kanceri i gjirit ishte zhvilluar në fazën e tretë dhe më pas i ishte përhapur edhe në gjoks, shpinë, vezore dhe tru. E njëjta kishte ndodhur edhe me nënën 42-vjeçare të Laura-s, Janet-ën, që kishte vdekur në kohën kur Laura ka qenë vetëm njëmbëdhjetëvjeçare, pas një beteje gjashtëvjeçare me kancerin. Teksa shoqërohej me të dashurin e saj, Sam Vickery, 27-vjeçar, Laura e guximshme ka thënë:“Vetëm shpresoj që ta kaloj këtë gjë me më shumë lumturi dhe me humor, siç ka bërë edhe nëna ime. Ky është një shteg shumë më ndryshe nga ai që do ta kisha zgjedhur. Mirëpo, ky është shtegu që më është dhënë. Përkundër faktit që jam shumë e sëmurë, unë mundohem që çdo ditë të zgjohem me gëzim e hare, duke treguar shaka të papërshtatshme”.

“Më kujtohet se si i binin flokët dhe ishte shumë e plogësht”

Fëmijëria e saj ishte dominuar nga shëndeti i ligë i nënës së saj dhe tani po e përjeton të njëjtën gjë sikur nëna e saj në mënyrën më të rëndë të mundshme. “Më kujtohet se si i binin flokët dhe ishte shumë e plogësht. Asaj i ishin larguar të dy gjinjtë. Në shtëpi kemi pasur një makinë oksigjeni, të cilën e përdorte nëna. Ka qenë e frikshme. Kam qenë vajzë e nënës dhe ajo gjithmonë ka qenë gjithçka për mua. Gjithmonë kemi qenë në shtëpi, meqë rrallëherë dilnim, mirëpo gjithmonë kam ndier dashurinë. Ajo lexonte për mua”. Për një periudhë të shkurtër ishte dukur sikur Janet e kishte mposhtur kancerin, mirëpo ai ishte rikthyer në gjoks dhe në vezore.

(Kosova Sot)