Masakra në Elbasan, Policia: Ja si u organizua sulmi në Krastë

  • 10 February 2016 - 09:38
Masakra në Elbasan, Policia: Ja si u organizua sulmi në Krastë

Një javë pas masakrës së ndodhur në Krastë të Elbasanit ku mbetën të vrarë tre persona si dhe u plagosën tetë të tjerë, policia dhe prokuroria kanë mundur të zbardhin dinamikën e ngjarjes. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së këtij qarku dje bënë me dije se dyshohet se grupi kriminal, i cili realizoi sulmin me armë, përbëhej nga 4 persona.

Pas kryerjes së hetimeve, ka rezultuar se ekzekutorët e 50- vjeçarit Agron Çapja, nipit të tij 27-vjeçar Ardit Sinakoli si dhe mikut të tyre 38-vjeçar, Eno Bedalli kenë qenë të veshur me rroba në formën e kamuflazhit dhe jo me uniforma policie sikurse u dyshua fillimisht. Gjithashtu, nga hetimet e deritanishme, policia ka krijuar bindjen se gjatë masakrës tre persona kanë qenë me armë zjarri tip automatik në dorë.

Burimet e mësipërme pohuan se dy prej autorëve (njëri prej tyre i gjatë dhe i shëndoshë, ndërsa tjetri trup mesatar) kanë përdorur tre karikatorë me fishekë dhe kanë qenë mjaft aktivë në përdorimin e armës, por jo profesionistë. Kjo për faktin se shumë plumba kanë përfunduar në mure dhe jo në objektiv.

Dinamika e ngjarjes

Sipas burimeve nga grupi hetimor, njëri prej personave të armatosur, pjesëmarrës në krim, dyshohet se ka qëndruar në gatishmëri disa metra larg lokalit ku po qëllohej nga dy të tjerët me breshëri plumbash. Roli i tij dyshohet se ka qenë për t’i mbuluar ata me zjarr, nëse do reagonin me armë personat që ishin në lokal. Ndërsa, personi i katërt u ka shërbyer autorëve të ngjarjes së përgjakshme si drejtues automjeti për t’u larguar të sigurt nga vendi i krimit për në drejtim të paditur. Mësohet se nga breshëritë e armëve të zjarrit, 45 gëzhoja janë “derdhur” drejt personave që ndodheshin brenda lokalit ku ndodhi ngjarja, pranë vendit të quajtur “Rrapi i Gonit”, kurse 20 gëzhoja janë gjetur jashtë lokalit në fjalë. Policia dhe Prokuroria jo vetëm në fillim, por edhe më pas kanë qenë jashtëzakonisht të rezervuara në dhënien e detajeve që lidhen me këtë ngjarje nga më të rëndat e ndodhura në Elbasan, shkruan GSH.

Hetimet

Për hetuesit, zbardhja e plotë e masakrës së Elbasanit është mjaft e vështirë, ndaj është duke u vlerësuar çdo detaj dhe provë. Sipas ekspertëve, pamjet e siguruara nga kamerat e sigurisë janë të pamjaftueshme për të hedhur dritë mbi sulmin ndaj pjesëtarëve të fisit Çapja dhe të afërmve të tyre (disa me precedentë penalë). Mister për policinë mbetet fakti që, pak kohë para ndodhjes së krimit, pikërisht në orën 19:53, kamera kryesore e sigurisë së lokalit (nga tri të tilla) nuk ka regjistruar asgjë. Grupi hetimor po heton dhe faktin që automjeti me autorët e krimit të ketë zbritur nga Kodër Krasta, nga ku duket lehtësisht lokali ku u krye masakra si dhe gjithçka ndodhej brenda tij. Sipas ekspertëve, kjo përforcon bindjen se autorët e krimit, pasi kanë studiuar mirë situatën, kanë bërë dhe planin e sulmit. Dhe, për fatin e keq, e kanë finalizuar atë pa pasur asnjë lloj pengese. Po të njëjtat burime thanë se tipologjia e veçantë e ngjarjes së Elbasanit ka nevojë të studiohet nga Kriminologjia, pasi mekanizmi i kryerjes së saj në mjaft aspekte i ngjan një akti terrori me viktima e të plagosur të shumtë. Ndërkaq, prej disa ditësh policia po përdor dhe helikopterët për kapjen e ekzekutorëve, por deri tani pa sukses.

(Kosova Sot)