INPO: Komuna e Prishtinës të organizoj festë për Ditën e Pavarësisë

  • 10 February 2016 - 12:57
INPO: Komuna e Prishtinës të organizoj festë për Ditën e Pavarësisë

Përmes një komunikate për media iniciativa për progres INPO fton komunën e Prishtinës të mos e përseris gabimin e vitit të kaluar dhe të organizoj festë për Ditën e Pavarësisë.

Në komunikat thuhet se komuna e Prishtinës për të dyten herë me radhë, refuzon që të organizoj çfarëdo lloj aktiviteti, qoftë edhe simbolik për nder të festës më të rëndësishme që ka Kosova.

Kjo është komunikata e plotë:

Iniciativa për Progres INPO shpreh shqetësim rreth injorimit të festës së pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe mos gatishmërisë së Komunës së Prishtinës për të shënuar këtë datë historike për qytetarët këtij vendi. Komuna e Prishtinës për të dytën herë me radhë, refuzon që të organizoj çfarë do lloj aktiviteti, qoftë edhe simbolik, për nder të festës më të rëndësishme, atë të krijimit të shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës.

Arsyetimet e Komunës së Prishtinës, se festa e pavarësisë është festë shtetërore dhe i takon institucioneve qendrore që të merren me organizimet festive është e papranueshme dhe e pa sinqertë. Gjithashtu, përkushtimi i Komunës së Prishtinës karshi protestave paqësore kundër marrëveshjeve për asociacionin dhe demarkacionin, të paralajmëruara nga liderët e opozitës është jashtë kompetencave dhe funksioneve parësore që bartë Komuna sipas rregullativës ligjore për vetëqeverisjen lokale. Mbajtja e një proteste apo çfarëdo lloj organizimi tjetër në kryeqytet duhet të shihet si e ndarë nga organizimet festive që do të duhej të organizoheshin nga Komuna.

Në këtë drejtim, INPO vlerëson se në asnjë mënyrë nuk duhet shfrytëzuar gjendja e rëndë politike, ekonomike dhe sociale për të ju mohuar qytetarëve shënimin e festës së pavarësisë në mënyrë institucionale. Përndryshe, mos shënimi i ditës së Pavarësisë, përbën cenim të identitetit të Republikës. Në bazë të nenit 2, të Ligjit për Festat Zyrtare, Dita e Pavarësisë, ashtu si dhe festat e tjera, përkon me historinë, kulturën dhe traditat e popullit të Kosovës, dhe si e tillë duhet festuar. 
Andaj, duke pas parasysh se Komuna e Prishtinës i posedon të gjitha kapacitetet, si financiare ashtu edhe logjistike, INPO e fton kryetarin e Komunës z.Shpend Ahmeti që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për t’i ofruar qytetarëve të saj atmosferën festive për nder të 8 vjetorit të pavarësimit të vendit, duke filluar nga stolisja e qytetit me simbolet e shtetërore të Republikës së Kosovës.

Përfundimisht, INPO i rikujton Kryetarit të Komunës z.Shpend Ahmeti se komuna më të cilën qeverisë ai është kryeqendra e Republikës së Kosovës dhe kësisoj i takon që të ndërtoj një agjendë të denjë festive për nderë të kësaj feste.

(Kosova Sot)