Salihaj godet Thaçin: Ai nënshkruan atë që kërkon Serbia

  • 10 February 2016 - 14:51
Salihaj godet Thaçin:  Ai nënshkruan atë që kërkon Serbia

Deputeti Adem Salihaj nga LDK-ja nuk e sheh fare si mundësi rishikimin e dialogut të filluar të Kosovës me shtetin serb dhe ushtrimin e padisë kundër krimeve serbe nga një njeri që premtimin e ka bërë që në mandatin e parë të qeverisjes së vendit dhe tani është në të tretin dhe nuk po e inicion këtë çështje.

"Kosova që nga koha e shpalljes së pavarësisë asnjëherë nuk shtroi për bisedime asnjë interes të vetëm të Kosovës, siç janë dëmet e luftës, dënimi i masakrave të kryera nga Serbia, të pagjeturit, të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Pra, asnjë çështje të vetme, e cila do të ishte në interes të Kosovës, nuk e ka shtruar në këto bisedime. Të gjitha çështjet që janë shtruar kanë qenë për interesa të Serbisë. Edhe marrëveshjet e nënshkruara të gjitha kanë qenë për interesa të Serbisë dhe në dëm të interesave shtetërore të Kosovës", tha Salihaj në një prononcim për gazetën "Kosova Sot".

"Pyetja se përse Thaçi i bën të gjitha këto kundër interesave të Kosovës e ka një përgjigje: atij nuk i interesojnë ato interesa, ai nënshkruan atë që kërkon Serbia, mjafton që si të mund ta zhvatë vendin e tij deri në palce", tha Salihaj.

Situata, sipas tij, bëhet akoma më dramatike tani kur i ka dalë në sipërfaqe afera e lidhjeve të spiunazhit me shërbimet e huaja informative, e që tani do të duhej hetuar për ato dyshime të ngritura.

"Jo vetëm Komisioni për siguri, jo vetëm AKI-ja, por edhe të gjitha institucionet më të larta të Kosovës duhet ta shqyrtojnë me seriozitetin më të madh këtë çështje, sepse nuk duhet injoruar një informacion nga ish- kreu më i lartë i një shteti, i cili pohon se Thaçi, i cili ka pasur dhe ka pozita aq të rëndësishme, nga më të lartat në institucionet e Kosovës. Mendoj se paraqitja e institucioneve të Kosovës sikur nuk ka ndodhur asgjë është një gabim i pakapërcyeshëm", ka thënë ai.

(Kosova Sot)