Haradinaj: S’ka rëndësi çfarë thotë Ymeri

  • 10 February 2016 - 15:09
Haradinaj: S’ka rëndësi çfarë thotë Ymeri

Zgjidhja e vetme për krizën politike në Kosovë janë zgjedhjet e parakohshme, së bashku me zgjedhjen e presidentit me votë të drejtpërdrejtë.

Kështu ka thënë në intervistën për Rel, Ramush Haradinaj, lider i partisë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Haradinaj ka theksuar se blloku opozitar është fuqishëm i angazhuar në rritjen e kundërshtimit qytetar për të kundërshtuar, siç ka thënë ai, “degradimin e shtetit që mendojmë se është momenti i fundit për Kosovën që të ndalet ky degradim”.

Për sa i përket pjesëmarrjes së tij në takimin e liderëve të partive parlamentare të thirrur nga Preisdentja Jahjaga dhe reagimet që kanë ardhur, sidomos nga Lëvizja Vetëvendosje dhe kreu i saj, Visar Ymeri, lideri i AAK-së tha se ato deklarata janë të parëndësishme.

“Për mua janë të parëndësishme deklarimet e zotit Ymeri apo të kolegëve të tij, për shkak se unë përfaqësoj qytetarë dhe një kauzë që është e të gjithë qytetarëve - edhe e Vetëvendosjes, edhe e Aleancës, edhe e Nismës, edhe shoqërisë civile, por edhe e shumë të tjerëve. Ne do ta vazhdojmë këtë kundërshtim fuqishëm, sepse këtë e bëjmë për Kosovën, së bashku, gjithsesi”, ka theksuar Haradinaj në këtë intervistë.

Ai ka thënë se zgjidhja përmes dialogut, momentalisht nuk është e realizueshme, ndërsa ka theksuar se tek Presidentja ka shkuar me një propozim konkret, “por ka qenë e pamundur që ta trajtojmë këtë propozim - kanë qenë zgjedhjet”.

Më tej, Ramush Haradinaj ka thënë se me degradimin çfarë i ka ndodhur vendit, shtet i kapur, politizim i skajshëm i institucioneve, korrupsion enorm, me një gjendje të rëndë në ekonomi, mungesë investimesh, përsëri korrupsion dhe papunësi të lartë, me një situatë në rend dhe ligj e me gjyqësorë që është në vështirësi, me ombrellë të sigurisë të pa përmbyllur, ende se kemi Ushtrinë e Kosovës, “do të thotë rrezikohemi nga rreziqet tashmë globale, luftëtarët islamikë”.

“Në plan të jashtëm, me dështime në njohje dhe në anëtarësim në organizata ndërkombëtare, por veçanërisht me vendimin e Gjykatës Kushtetuese që e ka nxjerrë njërën nga marrëveshjet jo në frymën e Kushtetutës në të gjitha nenet e saj - e kur dihet se në Kosovë, nga vendimet e tilla kushtetuese janë shkarkuar dy presidentë - koha është për dorëheqje të qeverisë së vendit dhe për të shkuar në zgjedhje. Pra, nuk bëhet fjalë më për pikëpamje të rëndomta dhe të zakonshme, për mandate të zakonshme, por bëhet fjalë për një situatë, e cila kërkon reflektim nga pushtetarët, nga qeveritarët dhe ne mendojmë që zgjedhjet janë: fytyrë për të gjithë. Pra, mbetet fytyrë për të gjithë”, ka shtuar Haradinaj.

Kryetari i AAK-së, Haradinaj, ka thënë se nuk guxojmë të humbim kohë sepse nuk kemi kohë të humbim dhe duhet të veprojmë sa më shpejtë me vendimin për zgjedhje.

“Vendimi për zgjedhje është një vendim që bëhet nga i gjithë spektri politik, por në këtë rast duhet të veprojë presidentja e vendit”, ka potencuar ai.

Ai ka propozuar më tej që presidenti të zgjidhet drejtpërdrejtë nga qytetarët.

I pyetur nëse ka pasur ndonjë kërkesë apo ofertë nga takimet që ai ka pasur këto ditë me përfaqësuesit ndërkombëtarë, Haradinaj, pasi ka shprehur falënderimet për ndihmën që faktori ndërkombëtar ka dhënë për Kosovën, ka thënë se ata janë të shqetësuar për shumë aspekte të “kundërshtimit tonë”, ndërsa ka mohuar të jetë diskutuar ndonjëherë për ndonjë ofertë ndaj tij.

“Unë nuk e kam sjellë asnjëherë bisedën në nivel të ndonjë oferte, sepse nuk bisedohet ashtu. Ne jemi seriozë dhe përfaqësojmë kauzë serioze, por, kemi biseduar se si do të ecë Kosova përpara, sepse interesi ynë i parë është vendi”, ka thënë ai. 

(Kosova Sot)