Zgjedhjet e parakohshme në Serbi, imponojnë edhe ato në Kosovë

  • 10 February 2016 - 17:31
Zgjedhjet e parakohshme në Serbi, imponojnë edhe ato në Kosovë

Zgjedhjet parlamentare, të cilat janë paralajmëruar të mbahen në muajin prill në Serbi, mund të imponojnë zgjedhje të parakohshme edhe në Kosovë.

Krejt kjo mund të ndodhë për shkak të krizës aktuale politike me të cilën vendi është duke u përballur që disa muaj.

Madje, kjo gjë do të ndikojë edhe në zvarritjen e procesit të dialogut në mes të shtetit të Kosovës dhe atij të Serbisë.

E krejt këtë situatë nuk është se e dëshiron Serbia, por është Bashkimi Evropian, i cili në kuadër të proceseve të tyre për vazhdimin e dialogut, mundë të insistojnë që edhe Kosova të ketë.

Kështu mendon analisti politik Milazim Krasniqi, i cili në një prononcim për lajmi.net tha se zgjedhjet e parakohshme në Serbi, beson se do të kenë ndikim edhe në zhvillimet në Kosovë.

“Për zgjedhjet e parakohshme në Serbi unë besoj që do të kenë ndikim edhe në zhvillimet në Kosovë dhe kjo jo për shkak se dëshiron Serbia ta ushtrojë këtë ndikim por për shkak se Bashkimi Evropian  në kuadër të proceseve të tyre për vazhdimin e dialogut mund të insistojnë  që edhe Kosova të ketë të fuqizume një mandate të ri për procesin e ardhshëm të negociatave”, tha Krasniqi.

Madje e quan interesante këtë periudhë, ku sipas tij, pjesa kryesore e Ballkanit po shkon në zgjedhje të parakohshme. “Kjo po ashtu ka të bëjë sigurisht me politikat e Bashkimit Evropian për një proces të dekriminalizimit të skenës politike në shtetet e Ballkanit perëndimorë”, shtoi më tutje ai.

Krasniqi thotë se duke shikuar  nga kjo strategji e BE-së, edhe Kosova në një mënyrë ose tjetër, do të përfshihet ndoshta në pjesën e dytë të vitit në një proces zgjedhor.

Ndërsa sa i përket procesit të dialogut, ky proces për Krasniqin është i shkatërruar. “Vetë fakti që Serbia është në zgjedhje kjo i pamundëson Qeverisë serbe që të vazhdojë dialogun në kuptimin e marrjes së vendimeve dhe ata mund të taktizojnë që të shkojnë në Bruksel për të dal në fotografi  por nuk kanë hapësirë veprimi për të marr vendime”, vlerësoi më tutje Krasniqi.

Por se a mund të ndikojnë zgjedhjet e parakohshme të Serbisë edhe në Kosovë, mendim ndryshe jep analisti Nexhmedin Spahiu.

Ai tha për lajm.net se një gjë e tillë nuk mund të ketë ndikim në politikën e Kosovës,  raporton lajmi.net.

“Nuk ma merr mendja që mundet me pas ndikim meqenëse në Serbi po pritet një konsolidim i pushtetit të Vuqiqit kështu që kjo nuk mendojë që ka me pas ndonjë  ndikim në politikën e Kosovës”, theksoi Spahiu.

Për të, këto zgjedhje nuk do të kenë efekt as në dialog, pasi siç vlerëson ai, nëse fiton Vuqiq, që sipas tij është e pritshme, atëherë ai ka duart më të lira të procedojë më tutje me dialogun.

(Kosova Sot)