Zgjerohet rasti “Stenta”

  • 10 February 2016 - 18:53
Zgjerohet rasti “Stenta”

Mjekët e dyshuar i mbajnë pozitat udhëheqëse

Prokuroria e Shtetit zgjeron hetimet në rastin “Stenta”edhe në disa institucione të tjera. Në anën tjetër,  SHSKUK-ja  nuk paragjykon fajësinë e kardiologëve, andaj nuk i pengon të mbajnë edhe pozita udhëheqëse 

Prokurori i rastit “Stenta”, Besim Kelmendi ka bërë të ditur se Prokuroria ka zgjeruar hetimet edhe ndaj disa institucioneve të tjera, ndërkohë që ka shpjeguar se janë në mbledhje të provave. Kelmendi ka thënë se aktualisht janë duke u marrë edhe me deklarata të dëshmitarëve, të dëmtuarve dhe të pandehurve dhe varësisht prej këtyre deklaratave do të merren veprimet e tjera hetimore.  Ndërkohë, për shkak të ruajtjes së procesit të zhvillimit të hetimeve të rastit, Kelmendi nuk ka bërë të ditur se për cilat institucione bëhet fjalë. “Për shkak të dëmtimit të procesit, nuk mund të flasim se për cilat institucione bëhet fjalë, por janë duke u nxjerrë edhe disa  prova nga institucionet e tjera, që do të na shërbejnë për rastin në fjalë”, ka theksuar ndër të tjera ai. Prokurori i rastit nuk ka dhënë ndonjë afat kohor për mundësinë e ngritjes së aktakuzës  ndaj mjekëve kardiologë.

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar nuk merr asnjë masë ndëshkimore

Në anën tjetër, kardiologët e dyshuar do të vazhdojnë të udhëheqin duke mbajtur  pozitat,  pasi  Shërbimi Spitalor Klinik Universitar nuk mund  të ndërmarrë masa ndëshkimore, të parapara me ligj, pa pasur dëshmi për ngritje të aktakuzës. Për më shumë, Shpend Fazliu, zëdhënës në Qendrën Klinike Universitare, ka pohuar se juridikisht, derisa nuk ka aktakuzë të ngritur, apo nuk shpallen fajtorë, mjekët kardiologë nuk mund të privohen askush nga kjo e drejtë, andaj as SHSKUK-ja nuk paragjykon fajësinë e askujt. “I takon organeve kompetente  të bëjnë punën e tyre”. Por, në anën tjetër, deputetë si dhe organizata në vend kanë kërkuar që të luftohet krimi i organizuar. Time Kadriaj, deputete dhe anëtare e Komisionit për shëndetësi, ka thënë se Qeveria duhet të merret me luftimin e korrupsionit, e të krimit të organizuar në nivelin qeveritar, sepse ashtu po kërkohet edhe nga faktori ndërkombëtar. “Në këtë rast askush nuk është mbi ligjin, madje as mjekët”, ka pohuar Kadriaj.  (Më gjerësisht mund t'a lexoni në numrin e sotëm të gazetës KOSOVA SOT)