“Shoqja ma vodhi foshnjën, pretendonte se ishte e saj”

  • 10 February 2016 - 20:23
“Shoqja ma vodhi foshnjën, pretendonte se ishte e saj”

Një nënë ka treguar se si shoqja e saj ia kishte vjedhur foshnjën e porsalindur dhe e kishte prezantuar atë si fëmijë të vetin, duke pretenduar që kishte lindur, ndonëse në fakt ajo kishte abortuar. Kimberly Jamieson, 24-vjeçare, nga Hemilltoni i Okllëndit Jugor në Zelandë të Re, ka qenë nënë e dyvjeçares Kylah dhe foshnjës tetëjavëshe, Konan, kur e kishte lënë Tequila Matekohi-Samuels-in që të qëndronte për një natë në shtëpinë e saj. Vetëm pasi  i biri i saj kishte dalë të jetë i zhdukur, mëngjesin e ditës së radhës, ishte bërë e ditur që Tequila, e cila i kishte thënë Kimberly-t që ishte shtatzënë, e kishte rrëmbyer Konan-in. Tequila, që atëbotë ka qenë 18-vjeçare, ka qenë një mikeshë familjare kur Kimberly e kishte ftuar të qëndronte një natë në muajin tetor të vitit 2014. “Tequila më pati thënë që ishte ende shtatzënë, andaj edhe ishte personi më i përshtatshëm për të luajtur me fëmijën tim”, ka thënë Kimberly teksa kujtuar natën kur ka ngjarë rasti, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Image

“Tequila dëshironte të dinte çdo gjë për djalin tim”

Tequila i kishte thënë Kimberly-t që i kishin mbetur edhe dy javë deri në lindje, gjë që e kishte befasuar nënën e re. “U pata befasuar, nuk e kisha menduar që ajo ishte aq gati për të lindur”. Shoqet kishin qëndruar duke biseduar me njëra-tjetrën, derisa nëna e Kimberly-t ishte kujdesur për fëmijët. “Tequila dëshironte të dinte çdo gjë për djalin tim – sa hante, sa flinte. Ajo madje më pati pyetur edhe nëse partneri im, Harley Boyte, flinte shumë apo jo. Kjo ka qenë pyetje e çuditshme për mua”, ka thënë ajo. Mëngjesin e ditës së ardhshme, Harley e kishte përmendur faktin që Tequila kishte qëndruar jashtë dhomës së Konan-it në ora 4:00 të mëngjesit kur ishte zgjuar për të shkuar në tualet. Kur ishte pyetur se çka po bënte, Tequila i kishte thënë që po shikonte nëse gjithçka ishte në rregull me foshnjën. “Pata menduar që ajo do të shkonte nga shtëpia në mëngjes, mirëpo ndonëse po afrohej nata, ajo vazhdonte të qëndronte me ne. Rreth mesditës, e pata vënë Konan-in në gjumë dhe u pata kthyer në dhomën e ndejës për të shikuar televizion me familje”, ka thënë Kimberly, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Image

Gjykata  e kishte dënuar për kidnapim

Kimberly ka thënë që Tequila më pas kishte pretenduar se kishte marrë një thirrje telefonike nga një i afërm i saj, i cili i kishte thënë që kishte telashe, para se të largohej nga dhoma. Ajo ishte rikthyer pesëmbëdhjetë minuta më vonë, duke thënë që e kishte harruar kuletën, para se të kërkonte nga familjarët që ta lejonin ta përqafonte vogëlushin edhe një herë.  Pikërisht në atë moment ishte kuptuar që Konan-i ishte zhdukur. “U pata afruar te shtrati i tij, pata ngrehur të gjitha batanijet dhe jastëkët e tij, mirëpo ai nuk ishte asgjëkund. Nuk mund ta besoja që djali im i çmuar ishte zhdukur”, ka thënë Kimberly. Kimberly më pas kishte vrapuar si e çmendur nga dhoma në dhomë, duke e kërkuar të birin e saj. Në atë moment Tequila kishte drejtuar gishtin nga dera e pasme e shtëpisë, e cila ishte e hapur, ndonëse Kimberly thotë që i kujtohej fare mirë që e kishte mbyllur një natë më herët. Familjarët e kishin lajmëruar menjëherë policinë si dhe kishin ngritur alarmin në lagje, duke kërkuar ndihmë nga fqinjët. Për fatin e tyre të mirë, sapo kishin shkuar në stacionin policor, policët i kishin takuar ata me një foshnje, që kishte dalë të jetë Konan-i. “As që e kishim idenë çka kishte ndodhur, megjithatë u patëm çliruar plotësisht. Tronditja na pati ardhur më vonë”, ka thënë Kimberly. Në të njëjtën ditë ishte arrestuar Tequila, e cila në muajin maj të vitit 2015 ishte paraqitur në gjykatë, ku ishte dënuar për kidnapim. Tequila e kishte marrë vogëlushin nga shtëpia e tij duke e dërguar në shtëpinë e një shoqeje të saj, që jetonte afër, duke i thënë që ishte i saj. Mirëpo, për fatin e mirë të të gjithëve ajo kishte filluar të dyshonte në Tequila-n dhe si rrjedhojë e kishte dërguar djaloshin në polici, gjë kjo që kishte mundësuar bashkimin e Konan-it me prindërit e tij. “Ende nuk e di se çka ka menduar të bëjë dhe se si ka dashur ta realizonte planin e saj. Nuk mund t’ia falë për atë që na e ka bërë, mirëpo shpresoj që një ditë ta marrë ndihmën që i duhet”, ka përfunduar Kimberly.

(Kosova Sot)