Akciza në duhan pritet të reflektojë në çmimin e shitjes me pakicë

  • 10 February 2016 - 21:00
Akciza në duhan pritet të reflektojë në çmimin e shitjes me pakicë

Nga janari i këtij viti, akciza për duhan është rritur sërish. Vendimi për rritjen e akcizës është marrë në mbledhjen e 64’t të Qeverisë, më 16 dhjetor të vitit të kaluar.

Me anë të këtij vendimi, akciza për duhan është rritur në 41 euro për kilogram. Sipas këtij vendimi, akciza do të rritet edhe në vitet në vijim për t’u bërë pas katër vjetësh, 47 euro. Një ngritje e tillë e akcizës parashihet të rrisë mes 20 dhe 30% të çmimit të këtij produkti, varësisht prej tipit.

Përfaqësuesit e importuesve të duhanit thonë se, edhe pse në vitet e kaluara vazhdimisht është rritur akciza për duhan, niveli i importit i këtij produkti nuk ka ndryshuar, transmeton KTV.

Kryetar i Shoqatës së importuesve të duhanit, Ramadan Kelmendi ka thënë t’i kenë kërkuar Ministrisë së Financave që këtë vendim ta shtyjë deri në korrik të këtij viti, porse një gjë e tillë nuk është marrë parasysh.

Berat Thaçi, nga Instituti GAP, vlerëson se përpos rritjes së akcizës, asnjëherë nuk është bërë një hulumtim për të parë nëse një vendim i tillë ka pasur ndikimin e tij.