Adoleshentja rrit fëmijën që u lind si rezultat i dhunimit të saj

  • 10 February 2016 - 23:06
Adoleshentja rrit fëmijën që u lind si rezultat i dhunimit të saj

Lotët rrjedhin rrëke nga sytë e Martha Ayiens-t teksa ajo thotë fjalët që për 18 muaj nuk ia kishte thënë askujt: “Më kanë dhunuar”. Ajo madje i ka përsëritur fjalët disa herë, duke thënë me zë më të lartë: “Më kanë dhunuar... Kam qenë nxënëse... fëmijë”.  Ajo, gjatë gjithë kohës, në duar mban të birin e saj nëntëmuajsh, Gabriel-in, që ka qenë rezultat i një sulmi seksual që i ishte bërë në kohën kur ajo kishte qenë vetëm katërmbëdhjetëvjeçare. “Kam qenë në një dhomë krejtësisht e vetme kur aty u pati futur një burrë i madh. U pata përpjekur të bërtisja, mirëpo nuk kisha mundësi. U pata përpjekur të ikja, mirëpo ai më pati zënë, më pati goditur në kokë dhe unë pata rënë përtokë. Pastaj ai më pati dhunuar. Kam dashur të vetëvritesha pasi nuk doja të ekzistoja më”, ka thënë ajo teksa ka shpjeguar se si është dhunuar, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

64 fiset ishin pozicionuar në njërën anë

Ky rrëfim i jashtëzakonshëm dhe rrëqethës është bërë për ‘DailyMail’ në Ugandë, në afërsi të kufirit me Sudanin Jugor, ku qëndrojnë më shumë se 170,000 refugjatë – me afro 150,000 gra e fëmijë – të cilët kanë shkuar në atë zonë si pasojë e konfliktit në të cilin po vriten banorët e kombit më të ri në botë. I lindur me optimizëm ndërkombëtar dhe me festë lokale në vitin 2011, Sudani Jugor ishte përfshirë nga një Luftë Civile në dhjetor të vitit 2013 kur presidenti Salva Kiir, e kishte akuzuar zëvendësin e tij të dikurshëm, Riek Machar, për planifikim të një grusht shteti kundër tij. Ajo që kishte filluar si një luftë për pushtet ishte përhapur nga kryeqyteti i Sudanit Jugor – Juba – në mbarë vendin dhe të gjitha 64 fiset ishin pozicionuar në njërën anë. Marrëveshja e fundit e paqes është nënshkruar në muajin gusht të vitit të kaluar, mirëpo, siç kemi dëgjuar disa herë, luftimet kanë vazhduar me më shumë se 10,000 persona të vrarë dhe 2.29 milionë të shpërngulur. Gjithandej ka familje të tmerruara, me të paktën nga një anëtar që ka rënë pre e dhunimit, torturës, kidnapimit, abuzimit me fëmijë apo edhe vrasjes. Sudani Jugor edhe zyrtarisht është vendi më i keq për fëmijë në mbarë botën dhe meqë po flitet për fëmijët, nënat e tyre, në përpjekje për t’ua siguruar atyre një vend më të sigurt, po shpërngulen drejt Ugandës veriore, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Shtëpitë e mbushura me njerëz, digjeshin plotësisht

Dy fëmijë kanë treguar se si tetë gjyshe, të gjitha mbi 65-vjeç, kishin qenë tejet të dobëta dhe të ngadalta për t’u fshehur kur burra të armatosur kishin shkuar në fshatin e tyre. Të gjitha ishin dhunuar. Djemtë kanë treguar se si po kidnapohen dhe po detyrohen të bëhen ushtarë, duke pasur mundësi të shpëtojnë vetëm në rast të pagesës së një haraçi në formë lopësh. Shumë refugjatë të tjerë, të tmerruar kanë treguar për mënyrën se si shtëpitë, të mbushura me njerëz, digjen plotësisht dhe burrat e armatosur presin jashtë tyre. Një gjashtëmbëdhjetëvjeçare ka treguar se si ishte dhunuar nga disa burra me uniforma ushtarake, kishte mbetur shtatzënë dhe ishte diagnostikuar me virusin HIV. Në një vend kur dhuna me bazë seksuale është një normë kulturore, shumë njerëz kanë folur për gra e vajza të këtij komuniteti që janë dhunuar. Megjithatë, nga të gjitha tregimet, ai për Martha-n (emri i është ndryshuar për  mbrojtje të identitetit), është më i tmerrshmi, pasi flet për adoleshenten që ka mbetur e detyruar ta rrisë fëmijën, që në jetë ka ardhur si rezultat i momentit më të tmerrshëm në jetën e saj.

(Kosova Sot)