Rusia kërkon që armëpushimi në Siri të nis më 1 mars

  • 11 February 2016 - 10:39
Rusia kërkon që armëpushimi në Siri të nis më 1 mars

Zyrtarët e Shteteve të Bashkuara thonë se Rusia ka propozuar që armëpushimi në Siri të filloj më 1 mars, por SHBA thotë se luftimet duhet ndaluar menjëherë.

Një zyrtar nga Uashingtoni, i ka thënë agjencisë AP, se Rusia dëshiron t’ia lë vetës edhe tri javë kohë për të kryer sulme në Siri, kundër forcave opozitare në mënyrë, në mënyrë që qeveria të rimarrë territore të rëndësishme para fillimit të armëpushimit.

Zyrtarët amerikanë thanë se Uashingtoni dëshiron armëpushim të menjëhershëm dhe qasje të plotë humanitare për civilët që kanë mbetur të bllokuar si rezultat i luftimeve.

Ambasadori rus në Kombet e Bashkuara, Vitaly Çurkin, tha gjatë të mërkurës se zyrtarët rusë dhe ata nga Shtetet e Bashkuara, në Mynih të Gjermanisë, janë duke zhvilluar bisedime “shumë të rëndësishme” në lidhje me armëpushimin në Siri.

Përfaqësuesit nga Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe disa vende të tjera, këtë javë gjenden në kryeqytetin bavarez, në kuadër të një konference vjetore të sigurisë, ku temë e diskutimeve do të jetë edhe Siria.

(Kosova Sot)