Krasniqi: Presidentja u vonua

  • 11 February 2016 - 12:19
Krasniqi: Presidentja u vonua

Politologu Faik Krasniqi, thotë se presidentja duhet të bëjë një zgjidhje urgjente me vendime të prera, ndonëse thekson që ftesa e saj për dialog mes pozitës dhe opozitës, ishte një ide krejtësisht e vonuar.

"Ashtu siç nuk solli asgjë konkrete ky takim i së hënës, nuk do të sjellin edhe dhjetëra takime të tjera, nëse mbahen me ndërmjetësim të presidentes", u shpreh ai në një prononcim për gazetën” Kosova Sot”.

Sipas Krasniqit, opozita është këmbëngulëse që këto dy marrëveshje, Asociacioni i Komunave me shumicë serbe dhe Demarkacioni me Malin e Zi, duhet të anulohen dhe kërkesat e tyre janë shumë të arsyeshme.

"Nëse koalicioni qeverisës nuk bën kompromise serioze rreth dy marrëveshjeve të fundit, zgjedhjet janë të pashmangshme. Pas shkeljes së Kushtetutës, dështimeve të njëpasnjëshme të këtij pushteti mashtrues dhe kriminal, përpos shpërndarjes së Parlamentit nga ana e presidentes dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja, alternativë tjetër nuk ka", tha politologu Faik Krasniqi për "Kosova Sot".

 Ai ka pohuar se sikur presidentja Jahjaga të ishte e interesuar dhe serioze në zgjidhjen e kësaj situate të tensionuar dhe bllokade politike, që në fillimin e krizës politike do t'i duhej t'i thërriste liderët politikë për zgjidhjen e kësaj krize, e jo situata të vijë në këtë pikë kritike, sepse këtë problem e kemi tash e 6 muaj.

 "Tani është e pandershme nga ana e presidentes që në dy muajt e fundit të mundohet gjoja t'i zgjidhë të gjitha problemet, e për 5 vjet nuk ka treguar asgjë në bazë të kompetencave që i ka pasur", tha Krasniqi.

(Kosova Sot)