Bursistët e mashtruar të Universitetit të Prizrenit

  • 11 February 2016 - 13:11
Bursistët e mashtruar të Universitetit të Prizrenit

Shpërblimet për 94 bursistë të Prizrenit janë bllokuar nga dështimi në planifikimin buxhetor të universitetit.

Kanë kaluar 8 muaj nga dita kur 94 studentë të Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti” u shpallën fitues të bursave në këtë universitet, por ata ende nuk i kanë marrë paratë që u takojnë.

Faktet dhe komunikimet me Universitetin e Prizrenit, Ministrinë e Arsimit dhe Ministrinë e Financave, tregojnë se planifikimi i dobët institucional ka penalizuar financiarisht studentët bursistë.

Ndërsa studentët presin që të marrin bursat prej 8 muajsh, institucionet përgjegjëse kanë qenë të paafta të koordinojë burimet e nevojshme buxhetore.

As komunikimet e vazhdueshme të studentëve me rektoratin dhe Ministrinë e Arsimit, si dhe ndërveprimi ndërmjet këtyre dy institucioneve, nuk kanë mundësuar zgjidhjen e problemit.

Komisioni i formuar nga Këshilli Drejtues i UPZ-së, më 15 prill 2015, kishte nxjerrë vendimin (nr.173/2015), lidhur me ndarjen e bursave të studentëve të Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti” për vitin akademik 2014-2015.

Pas dy mbledhjesh të zhvilluara në muajin maj të të njëjtit vit, komisioni publikoi më 3 qershor listën me emrat e 94 përfituesve për të cilët u vlerësua se i përmbushnin kushtet për bursë universitare nga gjithsej 107 aplikantë.

Për 13 aplikantët e tjerë, komisioni vlerësoi se nuk i përmbushnin kushtet për të përfituar bursë.

Studentët pa bursa

Adem Kika, i vitit të tretë në Shkencat Kompjuterike dhe një nga përfituesit e kësaj burse, thase po bëhet gati një vit dhe ende nuk ka parë asnjë cent nga fondi që i takon.

Kika kishte aplikuar për bursë në vitin e dytë, pasi kishte përfunduar me sukses vitin e parë të studimeve universitare, dhe ndonëse ishte përzgjedhur si përfitues i bursës, tani në vitin e tretë është akoma duke pritur.

Kika tha se përkundër përpjekjeve të shumta nuk ka arritur të marrë përgjigje konkrete as nga universiteti e as nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) se përse bursat nuk po shpërndahen.

Studenti i vitit të tretë në Shkencat Kompjuterike, thotë se mungesa e dhënies së një fondi nga Universiteti i Prizrenit nuk i kishte ndalur atë dhe një shok të tij në përpjekjet për të realizuar një projekt.

Ata i kishin varur shpresat te bursat që prisnin të merrnin për ta financuar vetë projektin e tyre. Pasi as bursat nuk iu ndanë, studentët thanë se pas shumë përpjekjeve kishin gjetur një sponsor, i cili u kishte ndihmuar të blejnë pajisjen e nevojshme për të përfunduar projektin. Ata ende janë duke e pritur një dorë robotike, e cila me anë të përpunimit të imazheve, algoritmeve të shahut dhe një kamere të thjeshtë, është në gjendje të luajë shah me një njeri pa pasur nevojë për asnjë ndihmë.

Kika thotë se edhe shumë studentë të tjerë që kanë nevojë për këto bursa shtetërore “të cilat i kanë fituar me djersë”, nuk e dinë se kur do të mund t’i marrin.

“Në këtë situatë që ndodhemi në vitin e tretë duke pritur bursën e vitit të parë nuk është se do të përmirësonte shumë kushtet për studim për mua, mirëpo jemi 94 studentë përfitues dhe shuma totale është goxha e majme, dhe tretja e tyre është diçka jo e mirë”, tha studenti.

“Pastaj ndoshta zgjidhja e këtij problemi do të ndikonte për mirë për gjeneratat e ardhshme, si dhe do të nxirrte në pah edhe shumë parregullsi të tjera që po ndodhin në këtë universitet”, shtoi ai.

Edhe bursistja tjetër, Egzona Metbala, thotë se ka aplikuar për bursë në prillin e vitit të kaluar.

“Kemi folë me një person që është në bordin e bursave, edhe ai thotë se ministria nuk ka pranu me caktu nji buxhet për bursa në UPZ, kemi kontaktu me email me ministrin e arsimit, e ai thotë që universiteti është përgjegjës për këtë çështje”, tha Metbala.

Bursistja thotë se ndërsa universiteti fajëson Ministrinë e Financave, dhe kjo e fundit fajëson Ministrinë e Arsimit, institucionet vetëm po u shmangen përgjegjësive.

Habibe Dulaj, gjithashtu bursiste, thotë se ka ardhur koha për aplikimin e bursave të vitit të dytë dhe ende nuk kanë marrë ato të vitit të parë.

Tani, ajo thotë se është absolvente dhe marrja e bursës do t’ i ndihmonte shumë për studimet master që planifikon t’ i ndjekë.

“Disa herë jemi ankuar te rektori dhe çdo herë me të njëjtën përgjigje që brenda 10 ditëve kinse do t’i marrim bursat, mirëpo kanë kaluar disa muaj dhe s’kemi pa ndonjë lëvizje as prej universitetit as prej MASHT-it”, tha Dulaj.

Në kërkim të zgjidhjes

Gazeta “Jeta në Kosovë”, ka siguruar korrespodencën e studentëve me drejtuesit e Universitetit të Prizrenit dhe me ministrin e Arsimit, Arsim Bajrami.

Studentët i ishin drejtuar me një letër ministrit Bajrami më 2 dhjetor 2015, ku kishin shprehur shqetësimet e tyre për mos marrjen e të hollave nga bursat e fituara që nga muaji qershor.

Përgjigja e ministrit ishte e menjëhershme: “Faleminderit shumë nesër do të ju dërgoj informatën e plotë për këtë çështje. Të fala, Arsimi”.

Pasi kaluan 12 ditë pa marrë asnjë përgjigje, studentët i drejtuan një letër tjetër Bajramit, duke i bërë me dije se po prisnin përgjigjen e tij.

Po të njëjtën ditë, Bajrami e kishte obliguar një zyrtar të MASHT-it, që të kontaktonte me rektorin e Universitetit të Prizrenit, Ramë Vataj, duke mbajtur të njoftuar (Cc) në këtë letër edhe studentët.

“Të lutem kontaktoje nesër Prof. Ramë Vatajn në emrin tim dhe pyete si qëndron puna me bursat studentore që kishte shpallur e përzgjedhur UPZ, por të cilat nuk i janë dhënë pastaj studentëve. Ku është problemi dhe si kanë menduar ta zgjidhin këtë?” shkruan ministri.

Pas dy ditësh, studentët morën përgjigje nga zyrtari i autorizuar i ministrisë se ai ishte takuar me rektorin Vataj dhe se problemet qëndrojnë tek planifikimet dhe zotimet e mjeteve financiare për bursa të studentëve për vitin 2015.

Po ashtu, ai u tha studentëve se në planifikimet e aktiviteteve dhe kostot buxhetore, për to janë kompetente universitet dhe dikasteret e tyre.

Ky ishte kontakti i fundit i studentëve me zyrtarë të MASHT-it, më pas ata vazhduan me kërkesat e tyre në rektoratin e universitetit ku ishin shpallur fitues të bursave.

Studentët patën disa takime me drejtues të Universitetit të Prizrenit, por jo me rektorin Vataj.

Në takimin e fundit me zyrtarët e universitetit në janar të këtij viti, studentëve iu premtua se brenda 10 ditësh do të siguroheshin mjetet nga MAShT-i, por as kjo nuk ndodhi.

Dështim në planifikimin financiar

Rektori i universitetit, Ramë Vataj, përmes zyrtarit për informim, Ramadan Baraliu, ktheu këtë përgjigje:

“Në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, ende nuk kemi mundur t’i alokojmë mjetet në llogaritë e studentëve që e kanë fituar të drejtën e bursës për vitin akademik 2014/2015, për arsye të mungesës së fondeve të mjaftueshme”.

Baraliu, po ashtu, shpjegoi se në buxhetin e universitetit, në kategorinë e subvencioneve kanë qenë të planifikuara vetëm 10 mijë euro.

Zëdhënësi nuk shpjegoi përse nuk ishin parashikuar mjetet e nevojshme financiare në buxhetin e vitit 2016 apo 2015 për bursat që u caktohen studentëve.

Në anën tjetër, dëshira dhe vendimi i menaxhmentit dhe organeve drejtuese, sipas zëdhënësit, është që për secilin student përfitues të bursës të ketë një shumë prej 900 euro, ndërsa mundësitë buxhetore mundësonin që bursistët të marrin vetëm nga rreth 100 euro.

Një udhëzim administrativ i MAShT-it për ndarjen e bursave, specifikon (në nenin 6, pika 5) se vlera financiare e bursave përcaktohet në bazë vjetore sipas mundësive buxhetore të kësaj ministrie.

Si rrjedhojë, vendimmarrja sovrane e universiteteve për caktimin e shumave të bursave është e pavlefshme sa kohë nuk gjen miratimin e MAShT-it.

Bursistët nga universitetet e Prishtinës dhe Pejës treguan për vlerën e bursave që ata kishin përfituar për periudhën në fjalë.

Një bursist nga Prishtina kishte përfituar 700 euro në vit, ndërsa një nga Peja 271 euro në vit, çka do të thotë se universiteteve të ndryshme u janë aprovuar vlera të ndryshme bursash nga Ministria e Financave.

“Aktualisht jemi në pritje të vendimit nga Ministria e Financave dhe Ministria e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë që të na lejojnë që të shfrytëzohen fonde nga kategori të tjera ekonomike apo të na sigurojnë mjetet e nevojshme”, tha zëdhënësi i Universitetit të Prizrenit.

Ai shtoi se pas reflektimit të institucioneve qendrore, mund të ofrohet zgjidhje për studentët bursistë.

“Jemi të vetëdijshëm për vonesat, mirëpo kërkojmë mirëkuptim nga bursistët sepse qëllimi është që të përfitojnë një bursë të dinjitetshme dhe jo-simbolike. Si universitet, të gjitha procedurat përkatëse i kemi kryer me kohë ndërsa vonesat janë bërë në ministritë përkatëse”, tha Baraliu.

Por, ministri Bajrami theksoi se Universiteti i Prizrenit, duke pasur parasysh mungesën e fondeve, është dashur t’i kushtojë rëndësi mundësive buxhetore me rastin e shpalljes dhe ndarjes së bursave.

Studentët duhet të presin akoma

Gazeta JNK kontaktoi me Ministrinë e Financave mbi kërkesën e Universitetit të Prizrenit, për lejimin e shfrytëzimit të fondeve nga kategori të tjera ekonomike, nga MAShT dhe Ministria e Financave.

“Ju lutem që për këtë çështje të drejtoheni në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren dhe në Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë”, ishte përgjigja e drejtorit për komunikim me publikun nga Ministria e Financave, Muharrem Shahini.

Ndërsa, nga përgjigja e ministrit të Arsimit u kuptua se në janar të vitit 2016, Universiteti i Prizrenit ka kërkuar transfer të fondeve nga kategoria ekonomike.

“Më 26 janar 2016 kemi pranuar kërkesë nga Rektori i UPZ për transferimin e fondeve nga kategoria ekonomike mallra dhe shërbime në dobi të kategorisë subvencione dhe transfere për vitin buxhetor 2016”, shkruan Bajrami.

Sipas ministrit, MASHT-i e ka shqyrtuar kërkesën dhe do ta paraqesë në Ministrinë e Financave në kuadër të rishikimit vjetor të buxhetit.

Por, Bajrami shpjegoi se “çdo rishikim i buxhetit duhet të realizohet sipas procedurave ligjore, të cilat lejojnë ndryshime vetëm në kuadër te rishikimit vjetor të buxhetit për vitin 2016”.

Rishikimi i buxhetit në mënyrë të programuar ndodh dy herë në vit – në qershor dhe dhjetor – ndërsa në raste të veçanta kryhet edhe jashtë këtyre afateve 6-mujore.

Në rastin konkret, rishikimi për të mundësuar një rialokim të fondeve buxhetore në zërin e bursave të studentëve të Universitetit të Prizrenit, nuk mund të ndodhë para muajit prill 2016.

Kjo do të thotë se 94 studentët bursistë do të duhet të presin për një periudhë ende të papërcaktuar para se të plotësohen kushtet financiare për pagesat që u takojnë.

Bursisti Rexhep Shijaku, thotë se bursa ishte shkaku që gjatë këtyre tri viteve nuk ishte angazhuar të punojë për të qenë i pavarur nga familja duke mos iu bërë barrë të afërmve.

Studenti Adem Kika, nga ana tjetër, e sheh problemin te planifikimi dhe menaxhimi i dobët i institucioneve përgjegjëse.

“Institucionet duhet të kontrollojnë më shpesh se a është gjithçka duke shkuar si duhet e jo pastaj të lindin probleme si ky dhe të detyrojnë studentët, si në këtë rast që kohën e tyre të studimeve t’ia kushtojnë zgjidhjes dhe nxjerrjes në pah të problemeve të tyre për shkak të neglizhencës dhe mos seriozitetit të tyre”, tha Kika.

(Kosova Sot)