Irlanda mbështet proceset në Kosovë

  • 11 February 2016 - 14:00
Irlanda mbështet proceset në Kosovë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti të enjten në takim ambasadorin e Irlandës në Hungari, jorezident në Kosovë, Pat Kelly, njoftom kumtesa nga Kryeministria.

Kumtesa nga Kryeministria bën të ditur se Mustafa e njoftoi për progresin në Kosovë dhe përkushtimin e Qeverisë së Kosovës në zhvillimin ekonomik dhe proceset integruese evropiane, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Duke vlerësuar përkrahjen e Irlandës për Kosovën, kryeministri Isa Mustafa theksoi vullnetin për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve, në veçanti në fushën e edukimit dhe të tërheqje së investimeve.

“Qeveria e Kosovës, me përkrahjen e qytetarëve dhe të partnerëve ndërkombëtarë, është plotësisht e angazhuar në zhvillimin ekonomik të vendit, hapjen e vendeve të reja të punës, rritjen e mirëqenies sociale, proceset integruese evropiane dhe fuqizimin e institucioneve demokratike”, tha kryeministri Mustafa.

Ambasadori i Irlandës, Pat Kelly, vlerësoi progresin që po arrihet në Kosovë, duke shprehur mbështetjen e shumanshme të Irlandës për proceset në Kosovë.

Ambasadori Kelly, po ashtu, shprehu përkushtimin e Qeverisë së Irlandës për bashkëpunim dhe për të ofruar përkrahje në zhvillimin ekonomik dhe proceset integruese evropiane. 

(Kosova Sot)