Ambasadorët: Zgjedhja e Presidentit të jetë në përputhje me Kushtetutën

  • 11 February 2016 - 14:15
Ambasadorët: Zgjedhja e Presidentit të jetë në përputhje me Kushtetutën

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim ambasadorin e SHBA-ve në Kosovë, Greg Delawie, ambasadorin e Britanisë së Madhe, Ruairi O’Connell, si dhe ambasadorin e Norvegjisë, Jan Braathu.

Në këto takime u bisedua për proceset aktuale politike në vend, krizën nëpër të cilën po kalojnë raportet në mes pozitës dhe opozitës, me theks të veçantë reflektimin e tyre në punë e Kuvendit të Kosovës.

Ambasadorët theksuan domosdoshmërinë që të hiqet dorë nga përpjekjet që përmes dhunës të diktohen vendimet politike, përfshirë këtu edhe zgjedhjet, sepse kjo bie në kundërshtim me parimet demokratike.

Sipas tyre, përpjekjet e tilla janë duke e dëmtuar shumë imazhin e vendit dhe përparimin e Kosovës në zhvillimin ekonomik dhe fuqizimin demokratik të shtetit, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Veseli nga ana e tij theksoi se vazhdon të besojë dhe angazhohet që fryma e dialogut dhe komunikimit në fund do të dominojë mbi të gjitha tendencat destruktive politike.

Në këto takime u bisedua edhe rreth procesit të zgjedhjes së presidentit të ri të Republikës së Kosovës.

Ambasadorët kërkuan që ky proces të jetë në përputhje me kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, ndërsa Veseli theksoi se procesi i zgjedhjes së Presidentit të Kosovës do të jetë plotësisht kushtetues, demokratik, transparent dhe inkluziv. 

(Kosova Sot)