94-vjeçari akuzohet për vrasjen e 170 mijë personave

  • 11 February 2016 - 15:44
94-vjeçari akuzohet për vrasjen e 170 mijë personave

Reinhold Hanning, 94 vjeç, dyshohet se ka dërguar të burgosurit hebrenj në dhomat e gazit. Ai është ish-gardiani nazist i kampit të përqendrimit të Aushvicit, i cili do të dalë në gjyq në Gjermani në lidhje me vrasjen e të paktën 170 mijë personave.

Ai vetë ka pranuar se ka qenë gardian i kampit famëkeq, por ka mohuar përfshirjen e tij në vrasjet.

Ky rast ndoshta i fundit në llojit e tij, po gjykohet në qytetin Detmold. Hanning është një nga 4 gardianët nazistë, 3 burra dhe një grua, që pritet të dalin në gjyq në muajt e ardhshëm.

Nazistët vranë rreth 1.1 milion njerëz në Aushvic, shumica e të cilëve hebrenj. 94-vjeçari ka shërbyer atje si një gardian i repartit SS nga viti 1943 deri në 1944, në kohën kur disa qindra mijëra hebrenj hungarezë u shfarrosën.

Të mbijetuarit e kampit të vdekjes të Luftës së Dytë Botërore pritet të dëshmojnë kundër tij. “Oxhaqet nxirrnin zjarr... era e trupave të njerëzve që digjeshin ishte aq e pabesueshme saqë askush nuk e duronte dot”, ka thënë një prej dëshmitarëve, 94-vjeçari Leon Schwarzbaum për AP.

(Kosova Sot)