Shkollat profesionale, me teori dhe pak praktikë

  • 11 February 2016 - 17:12
Shkollat profesionale, me teori dhe pak praktikë

Potera: Secila komunë duhet të identifikojë nevojat e tregut të punës

“Problemet me punën praktike janë të pranishme në shumicën e shkollave të mesme profesionale të Kosovës, edhe pse ka shkolla që japin shembull të mirë në këtë plan. Duhet të krijohet një lidhje më e mirë në mes të shkollave profesionale dhe bizneseve lokale”, shprehet eksperti Dukagjin Pupovci

Një ndër arsyet që arsimi në Kosovë ka ngecur është edhe mosinvestimi në shkollat profesionale, ku nxënësit ndonëse shkojnë në këto shkolla për të mësuar praktikën apo zanatin, ata mësojnë teori. Nëpër këto shkolla të mesme profesionale, edhe 16 vjet pas luftës mungojnë klasat praktike, bashkëpunimi me kompani private për të bërë praktikën, tekstet shkollore, dhe po ashtu ka mungesë të stafit adekuat profesional e mësimor. Tjetër problem me këto shkolla është se fatkeqësisht nëpër këto shkolla shkojnë kryesisht nxënësit me notë të dobët mesatare dhe kjo ndikon shumë në cilësinë e shkollës. Profesori Dukagjin Pupovci thotë se pa u krijuar një lidhje e mirëfilltë midis shkollave dhe bizneseve lokale vështirë se këto shkolla do të kenë praktikë të mirëfilltë. “Problemet me punën praktike janë të pranishme në shumicën e shkollave të mesme profesionale të Kosovës, edhe pse ka shkolla që japin shembull të mirë në këtë plan. Duhet të krijohet një lidhje më e mirë në mes të shkollave profesionale dhe bizneseve lokale dhe, në këtë drejtim, është shumë me rëndësi që MASHT-i dhe komunat të kenë rol më aktiv. Përndryshe, dalin kuadro që nuk janë të shkathtë ta ushtrojnë profesionin e vet, e që pastaj, ose duhet të trajnohen nga punëdhënësit ose të vazhdojnë fakultetin për të mësuar atë që është dashur ta mësojnë në shkollën e mesme”, mendon ai.