Jeta skëterrë në barakë e familjes Podvorica

  • 11 February 2016 - 18:28
Jeta skëterrë në barakë e familjes Podvorica

Myku dhe lagështia po ndikojnë keq në shëndetin e fëmijëve

Familja Podvorica nga Podujeva po jeton në kushte mizore. Për më tepër, ata apelojnë për ndihmë për vajzën e tyre Aridonën, e cila ka probleme me zhvillim të trurit, kurse tash e disa ditë kjo vogëlushe ka mbetur edhe pa terapi

Në një dhomë të improvizuar të njërës nga barakat pranë Gjimnazit në Podujevë jetojnë të pesë anëtarët e familjes Podvorica. Në një dhomë të banimi në të cilën është shpërndarë gjithandej myku dhe lagështia jeton kjo familje, ndonëse as ajo nuk është pronë e tyre. Kjo familje nga pas lufta e këndej po bëjnë një jetë si mos më keq. E zhgënjyer nga jeta, nëna e tre fëmijëve, Fitorja na rrëfen me lot ndër faqe për kushtet e mjerueshme në të cilat ajo është e detyruar të jetojë së bashku me bashkëshortin Sadberin dhe tre fëmijët e vegjël të saj. Ajo nuk e ka idenë se kah t’ia mbajë, por sigurisht se më së vështiri po e përballon sëmundjen e vajzës njëvjeçare Aridonës, e cila ka probleme me ngecje në zhvillim. Ajo ka shpjeguar se vajza ka disa ditë që i ka mbetur pa terapi dhe gjendja shëndetësore po i përkeqësohet. ”Sëmundjen e vajzës nuk po mund ta përballoj, ajo është pa barna dhe se gjendja shëndetësore po i vështirësohet”, ka thënë kjo nënë e përvuajtur.

Image

Përmes vrimave të mureve depërtonte drita

Fitorja ka thënë se tanimë i ka humbur shpresat për ditë më të mira, ndërsa as në këto kushte nuk po mundet dot ta përballojë jetën. “E shihni në çfarë kushtesh jetojmë të pesë anëtarët e familjes. Ato janë mizore, ndërsa shpresat për ndihmë i kam humbuar tërësisht”, thotë Fitorja, duke i fshirë lotët, të cilët i rridhnin pandërprerë  ndër faqe. Fitorja, nënë e tre fëmijëve të vegjël, thotë se nuk po arrin t’u bëjë ballë kërkesave të fëmijëve, të cilët shpesh edhe përfundojnë në gjumë të uritur. Një vështrim rreth e rrotull këtij ambienti fliste më shumë se kjo zonjë e shtëpisë. Një shtëpi e improvizuar, e mbuluar në çdo skaj nga myku dhe lagështia nuk donte koment. Madje, përmes vrimave të mureve depërtonte drita. Njëherësh nga to shpeshherë kanë depërtuar edhe minjtë, të cilët janë vizitorë të shpeshtë të kësaj familjeje.  Por, nuk janë  vetëm këto hallet e Fitores. Ajo thotë se ka hallin edhe të përgatitjes së ushqimit, sepse zihet ngushtë se çka t’u ofrojë fëmijëve për të ngrenë, kur në shtëpi i mungojnë edhe gjërat më elementare. Andaj, kushdo që ka mundësi ta ndihmojë familjen në gjendje të rëndë sociale mund të kontaktojë direkt në numrin e familjes:  044 459 833.  (Më gjerësisht mund t'a lexoni në numrin e sotëm të gazetës KOSOVA SOT) 

 

Image