Avokati Gashi: Politika e ka nënshtruar drejtësinë

  • 11 February 2016 - 23:04
Avokati Gashi: Politika e ka nënshtruar drejtësinë

Reformimi dhe përmirësimi i drejtësisë është i pamundur përderisa nuk ndryshohet politika në Kosovë..

Kështu ka thënë avokati Tomë Gashi në një prononcim për gazetën Kosova Sot Online, duke e parë të vështirë ndryshimin nga njerëzit e njejtë.

“Drejtësia herë shitet herë blihet, por më së shumti ndikohet dhe duhet të ndërrohet qasja e politikës ndaj drejtësisë, përndryshe me njerëz të njëjtë nuk mundesh me prit rezultate të ndryshme, më të mira’’, tha Gashi.

Ai thotë se prokuroria është e pafuqishme ndaj shumë politikanëve për t’i akuzuar për vepra të ndryshme të paligjshme.

‘’Së pari gjyqtarët nuk munden askënd ta gjykojnë nëse nuk ka aktakuzë nga prokurori kompetent dhe nëse aktakuza nuk përmban fakte konkrete me të cilat do të vërtetohet fajësia e kujtdo, por posaçërisht në rastin e politikanëve shpesh ndodh që prokuroria i akuzon disa politikanë të nivelit të ulët, jomesatarë e më të ''fortë',' por prokurorët "harrojnë" apo nuk dinë dhe nuk duan që aktakuzave të tilla t’u bashkëngjisin provat e nevojshme, që Gjykata të mund të shpallë fajtorë ndonjë politikan të akuzuar’’, tha ai. 

Gashi vlerëson se në rastet e politikanëve e gjithë situata është e kufizuar. 

‘’Gjykata edhe nëse e pranon një aktakuzë të tillë shpeshherë thotë se aktakuza nuk përmban prova të mjaftueshme për të vërtetuar fajësinë, Prokuroria në këto raste thotë se policia nuk e ka pajisur me prova të nevojshme që aktakuza të jetë e bindshme dhe e bazuar’’, shtoi ai. 

Gashi, i pyetur për rolin e gjyqtarëve, prokurorëve dhe avokatëve në këtë mes, tha se kjo dukuri nuk lidhet me individë, por thjesht politika e ka nënshtruar drejtësinë dhe këtu duket se është pika ku duhet bërë ndryshimi esencial.

(Kosova Sot)