Gruaja pretendon se shëroi kancerin e lëkurës me melhem të zi

  • 11 February 2016 - 23:50
Gruaja pretendon se shëroi kancerin e lëkurës me melhem të zi

Një grua pretendon se e ka kuruar melanomën në gjoksin e saj duke përdorur një ilaç tradicional, që njihet si melhemi i zi, që nuk lejohet të përdoret në vendin e saj. Brita Hollows, nga Taupo në Zelandën e Re, kishte filluar me trajtimin në fjalë pasi  kishte vërejtur që në gjoksin e saj kishte filluar të rritej një masë e vogël, ngjyra e të cilës ishte ndryshuar brenda vetëm dy javës. 63-vjeçarja ka thënë që kishte hulumtuar në internet për përdorimin e melhemit të zi dhe metodës tradicionale, para se të fillonte me përdorimin e kremit. Hollows asnjëherë nuk kishte kërkuar këshilla mjekësore nga doktorët dhe as që i ishte nënshtruar biopsisë për ta vërtetuar nëse më të vërtetë ishte prekur nga melanoma. Ajo i ka dokumentuar ndryshimet nëpër të cilat ka kaluar dhe ndikimin që ka pasur melhemi i zi nëpërmjet nxjerrjes së fotografive përgjatë periudhës 12-muajshe, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

“Nuk kam asgjë të keqe dhe jam plotësisht e shëndoshë”

Fotografitë që ajo i ka bërët tashmë janë publikuar nëpër internet dhe postimi i saj në rrjetin social ‘Facebook’, ku ka treguar për gjithë procesin, ka ngjallur reagime nga më të ndryshmet, me disa që e kanë lavdëruar atë për guximin dhe me të tjerë që i kanë dënuar veprimet e saj, për shkak të mungesës së eksperiencës në fushën e mjekësisë. Ajo e kishte trajtuar shenjën me melhem të zi dhe pas trajtimit nuk e kishte tërhequr, pasi personi që ia kishte dhënë melhemin e kishte këshilluar që ta linte atë derisa të binte vetvetiu, në mënyrë që të dilte bashkë me rrënjët. Ajo së fundmi ka publikuar edhe një fotografi të fundit, nëpërmjet të cilës tregon që është çliruar plotësisht nga shenja, që kishte mbetur pas rënies së masës së krijuar.  “Pasi masa pati rënë nga trupi, në trup më pati mbetur një lloj vrime, pa mish. Tani jam mirë. Nuk kam asgjë të keqe dhe jam plotësisht e shëndoshë. I jam nënshtruar testit të gjakut dhe gjithçka duket të jetë në rregull”, ka shtuar ajo.

Përdorimi i ilaçit të palicencuar

Para disa vjetësh, një burrë nga Brisbejni i Australisë kishte hapur një vrimë 2.5 centimetra të gjerë në kokën e tij, pasi kishte përdorur një ilaç të mjekësisë tradicionale, që besohet të ketë qenë melhem i zi. 55-vjeçari ishte shtruar në spital pasi  e kishte përdorur ilaçin e palicencuar për plot katër muaj në fytyrën e tij. Rasti i tij ishte paraqitur edhe në revistën ‘Medical Journal’ të Australisë, ku doktorët Natalie Ong, Eric Sham dhe Brandon Adams kishin shkruar që melhemi i zi mund të shkaktonte shenja të tmerrshme në fytyrë për shkak se përmban alkaloid dhe klorur të zinkut. Si pasojë e kësaj, ilaçi ishte bërë i ndaluar në Australi.

(Kosova Sot)