Çmimet e naftës në rënie të lirë

  • 12 February 2016 - 10:35
Çmimet e naftës në rënie të lirë

Mjaft faktorë, por edhe ngrohja globale bëjnë që çmimet e naftës të bien. Në shkurt 2014, një fuçi e nafte e papërpunuar tregtohej ende për 110 dollarë. Ndërkohë vetëm për rreth 30 dollarë për fuçi të llojit Brent - ky lloj nafte e papërpunuar nga fusha naftëmbajtëse e Brentit në Detin e Veriut konsiderohet si referencë në tregjet ndërkombëtare të lëndëve të para.
Epoka e çmimeve trefishore të naftës që filloi në vitin 2011 me sa duket ka mbaruar, shkruan DW. Në retrospektivë vitet e fundit shfaqen gjithsesi më tepër si atipike. Për shkak se shumicën e kohës çmimet e naftës ishin një- ose dyshifrore: në vitet 80 ose 90 të shekullit të kaluar ishte normale që një fuçi nafte të shitej për rreth 20 dollarë. Në vitin 1999 një fuçi Brent kushtonte edhe më pak se dhjetë dollarë.

A do të shohim së shpejti përsëri çmimet të tilla të ulëta?

Ne ende nuk e dimë se sa kohë do të vazhdojë rënia e çmimeve të naftës, por ne tashmë mund të identifikojmë një numër faktorësh që e kanë ndryshuar thellësisht tregun e naftës.

1. Ngjitja e SHBA-së në tregun e prodhuesve të naftës

Mes viteve 2012 dhe 2015, Shtetet e Bashkuara e kanë rritur sasinë e nxjerrjes së naftës nga 10 në 14 milionë fuçi në ditë duke u ngjitur në krye të listës së prodhuesve më të mëdhenj të naftës në botë përpara Rusisë dhe Arabisë Saudite.

Në këtë mënyrë në tregjet e lëndëve të para ofrohet një sasi e madhe shtesë: 4 milionë fuçi janë sa sasia e përbashkët që nxjerrin Nigeria, Angola dhe Libia, tre prodhuesit më të madh të naftës në Afrikë.

Prodhimin e sasive të tilla të naftës në SHBA e kanë bërë të mundur teknologjitë moderne. Edhe pse SHBA e kanë shfuqizuar në dhjetor 2015 ligjin për ndalimin e eksportit të naftës që ishte në fuqi nga vitet 70-të, SHBA do të vazhdojë ta përdorë shumicën e sasisë së naftës që prodhon për nevojat e saj. Por nga ana tjetër shtimi i sasive që prodhon vetë bëjnë që SHBA të importojë gjithnjë e më pak naftë nga jashtë.

2. Rritja e prodhimit në Irak

Bota nuk e ka vënë re se vitin e kaluar Iraku renditej i dyti në botë sa i përket prodhimit të naftës. Me gjithë luftën civile Iraku arriti ta shtonte sasinë e nxjerrjes së naftës nga 3,3 milionë fuçi në ditë në vitin 2004 në 4,3 milionë fuçi në vitin 2015.

Ky milion fuçi naftë shtesë që prodhon Irani është sa prodhimi i përgjithshëm i Algjerisë, prodhueses së tretë më të madhe në Afrikë. Iraku nxjerr tani edhe më shumë naftë nga toka se sa para luftës me Shtetet e Bashkuara në vitin 2003. Kryesisht nafta nxirret nga rajoni relativisht i qetë autonom kurd në veri të vendit.

3. Kthimi i Iranit në treg pas embargos

Pas nënshkrimit në janar të marrëveshjes bërthamore mes Iranit dhe "Grupit 5+1" (SHBA, Rusia, Kina, Franca, Britania e Madhe dhe Gjermania) sanksionet ndaj Iranit u hoqën dhe ai mund të eskportojë sërish naftë.

Aktualisht prodhimi iranian është sipas të dhënave të OPEC-ut, rreth 3 milionë fuçi në ditë. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) pret një rritje prej rreth 300,000 fuçi deri në fund të vitit. Me këto pritet të ketë më shumë naftë "të freskët" në tregun botëror, gjë që do të shkaktojë presion të ri mbi çmimet.

4. Naftë nga thellësitë e detit në Brazil

Brazili gjithashtu e ka rritur ndjeshëm sasinë e nxerrjes së naftës. Nga viti 2013 deri në vitin 2015, prodhimi brazilian i naftës u shtua nga 2.6 deri në 3 milionë fuçi në ditë. Sipas të dhënave të OPEC-ut në vitin 2015 në Brazil janë vënë në punë 72 puse të reja, në vitin 2014 ishin hapur madje 87 të tilla.

Brazili nxjerr naftë nga thellësitë e detit dhe ka zhvilluar teknologji që nxjerrin naftë deri nga thellësi prej tetë kilometrash. Por e ardhmja e Brazilit nuk duket kaq rozë, sepse investimet e larta që duhen për këtë teknologji nuk janë rentabël në kuadër të çmimeve gjithnjë në rënie.

5. Arabia Saudite do të ruajë kuotat

Arabia Saudite ka sasi të shumta nafte ende të pashfrytëzuara dhe shumë puse që nuk punojnë me kapacitet të plotë. Pra Arabia Saudite mund ta shtojë brenda një kohe fare të shkurtër prodhimin e saj të naftës dhe të shkaktojë ulje të madhe të çmimeve të naftës në botë. Nga ana tjetër si prodhuesi i tretë më i madh i naftës në botë, mund ta ulë sasinë e prodhimit të naftës dhe ofertën në treg, për t'i ngritur në qiell çmimet për "arin e zi".

6. Frikë nga Kina

Edhe se shifrat zyrtare flasin për një rritje prej më tepër se 6% të prodhimit të brendshëm bruto të Kinës, shumë investitorë kanë frikë se pas këtyre shifrave fshihet një realitet i errët. Kjo mund të bëjë që nevoja e madhe për naftë dhe sasia e naftës që harxhon Kina, e cila gjatë dhjetë viteve të fundit është rritur nga 7 në 11 milionë fuçi në ditë të bierë. Kjo shkakton nervozitet në tregjet e naftës.

7. Faktorë të tjerë

Edhe faktorë të tillë si ngrohja globale bëjnë që nevoja për naftë për ngrohje të bjerë dhe bashkë me këtë edhe e çmimeve të naftës.

Një faktor tjetër është edhe mosfunksionimi i kartelit OPEC, ku ndër të tjera bëjnë pjesë Arabia Saudite, Iraku, Irani, Nigeria dhe Venezuela, dhe që kontrollon një të tretën e prodhimit të naftës në botë. Por për shkak të interesave të ndryshme që ndjekin vendet e OPEC-ut mendohet që ato nuk do të jenë në gjendje të vazhdojnë të bien dakord për sasitë e naftës që nxjerrin, me anë të të cilave ndikojnë tek çmimet e naftës në botë.

Ndryshime historike

"Sido që të zhvillohen çmimet, tregjet ndoshta nuk do të jetë të njëjtët", analizonte IEA në janar. Ky është një lajm i keq për ekonomitë që varen nga prodhimi i naftës si Venezuela, Nigeria apo Angola

Ato duhet të përshtaten me këto zhvillime për të shmangur një kolaps ekonomik, sepse ndryshimet e shumta që kanë çuar muajt e fundit në rënien e çmimeve në tregjet e naftës, janë të përhershme.

(Kosova Sot)