Grainca: Xhavit Haliti nuk ka çka të përzihet në LDK

  • 12 February 2016 - 12:35
Grainca: Xhavit Haliti nuk ka çka të përzihet në LDK

Seanca plenare e Kuvendit të Kosovës, në të cilën do të zgjidhet Presidenti i ardhshëm i Kosovës do të mbahet javën e ardhshme.

Kështu ka thënë, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, (LDK), Blerim Grainca, sipas të cilit, kjo çështje do të zgjidhet shumë shpejt.

“Po presim që të mblidhet Kryesia dhe më së largu javën e ardhshme do të mbahet seanca për zgjidhjen e presidentit. Për mbajtjen e seancës jemi duke pritur po ashtu që të kthehen disa deputetë të cilët janë jashtë vendit në udhëtime zyrtare”, ka thënë Grainca për Indeksonline.

Ndërsa, duke komentuar deklaratën e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti i cili mbrëmë ka thënë se janë vetëm dy deputetë të LDK-së që nuk do të votojnë Hashim Thaçin për president, Grainca ka thekuar se Haliti nuk duhet të merret me LDK-në.

“Xhavit Haliti i PDK-së dhe Visar Ymeri i Vetëvendosjes duhet të merren me partitë e tyre e jo me LDK-në”, ka thënë tutje Grainca.

(Kosova Sot)