Putini po e përdorë krizën e refugjatëve për ta dobësuar Merkelin

  • 12 February 2016 - 12:37
Putini po e përdorë krizën e refugjatëve për ta dobësuar Merkelin

Kur në dhjetor të vitit 2015 u bë e qartë se refugjatët nga Lindja e Mesme do t’ia mësyjnë Gjermanisë, kancelarja Angela Merkel kishte siguruar partinë CDU se gjithçka ishte nën kontroll.

Merkeli, në mënyrë naive llogariste në dy gjëra: që bisedimet paqësore do t’i jepnin fund krizës pesëvjeçare në Siri dhe që do të kishte bashkëpunim nga Turqia për t’i ndalur refugjatët të hyjnë në vendet e BE-së, shkruan “Carnegie Europe”.

Madje, qëllimi i Merkelit për të risiguruar partinë dhe votuesit e saj për menaxhimin e kësaj krize me refugjatë, po zbehet çdo ditë e më shumë.

Autorja e kësaj analize, Judy Dempsey, shkruan se politikat e Putinit në Siri kanë bërë kërdi të mëtejshme në rajon. Gjatë fundjavës së kaluar, dhjetëra mijëra refugjatë u përpoqën të ikin në Turqi, vend ky që po ashtu gjendet në grahmat e një lufte me partinë kryengritëse të kurdëve (PKK).

Shumë refugjatë do të përpiqen të udhëtojnë në Evropë sesa të qëndrojnë në Turqi. Shih për këtë, derisa lufta në Siri vazhdon, shkruan “Carnegie Europe”, Merkelit po i ngushtohet rrethi nga të gjitha anët, jo direkt nga Putini dhe jo nga homologët e saj të BE-së.

“Mbështetja e vazhdueshme e Putinit për të mbajtur Assadin në pushtet ka një korrelacion të drejtpërdrejtë me mbështetjen e dobësuar të Merkelit në shtëpi. Sa më shumë që zgjatë lufta në Siri, aq më e dobët do të jetë Merkeli. Kjo ka pasoja edhe për pjesën tjetër të BE-së. Një Merkel e dobësuar nënkupton një Evropë të dobësuar dhe të ndarë”, shkruan “Carnegie Europe”. 

Sipas autores së këtij shkrimi, kundër një sfondi të tillë, do të jetë shumë e vështirë për Merkelin, njeriun më të fuqishëm në Evropë, që ta kthejë ‘humorin’ në vendin e saj.

Gjermanët janë gjithnjë e më skeptikë për sloganin e saj: “Wir schaffen das” (Ne mund ta bëjmë atë).

Duke e parë këtë rrezik, Merkel kishte deklaruar se vendet e BE-së, shumë prej të cilave kanë refuzuar t’i pranojnë refugjatët në vendet e tyre, përmes mbylljes së kufijve, do të duhet të jenë të gatshme t’i pranojnë kuotat e emigrantëve - ta ndajnë barrën e strehimit të refugjatëve me Turqinë, e cila ka marrë më shumë se 2,5 milionë refugjatë nga Siria.

“Ne kemi nevojë për të mbrojtur kufirin tonë të jashtëm, sepse duam të mbajmë Shengenin”, tha Merkel, duke shtuar se “në qoftë se nuk mund ta mbrojmë Shengenin, atëherë ky rajon i madh i lëvizjes së lirë, tregu ynë i brendshëm, i cili është bazë e prosperitetit tonë, do të jetë në rrezik dhe ne duhet parandaluar atë”. 

Megjithatë, autorja ia rikujton Merkelit partitë e tjera politike evropiane dhe lëvizjet e ndryshme, të cilat refuzojnë të sigurojnë strehim për refugjatët dhe se atyre as që iu bënë për Shengenin dhe, aq më tepër, për BE-në. “Ky është një problem shtesë për Merkelin”, shkruan “Carnegie Europe”, transmeton Republika.info. 

Sa do të dëshironte Merkel të kthente kohën në dhjetor të vitit të kaluar, por me Putinin që po i kontribuon vazhdimit të luftës në Siri, kjo gjë është e pamundur. 

(Kosova Sot)