Mafia e librit vazhdon gllabërimin e milionave

  • 12 February 2016 - 07:41
Mafia e librit vazhdon gllabërimin e milionave

MASHT-i hesht skandalin me tekstet shkollore

Ministri Arsim Bajrami, i pafuqishëm të stopojë aferën kriminale 

"Veprimi fillestar i ministrit Bajrami do të ishte anulimi i kontratave me dy shtëpitë botuese aktuale dhe hapja e menjëhershme e një tenderi të ri për shtypjen e librave shkollorë në përputhje me ligjin dhe kriteret e parapara për tenderim, pastaj përzgjedhja e autorëve të librave shkollorë, të verifikuar sipas përgatitjes profesionale dhe rezultateve shkencore për lëmenjtë e caktuar arsimorë, e jo si deri më tash, sipas përkatësisë partiake, rajonale apo lidhjeve të tjera farefisnore", thotë Florim Zeqa

Nga ajo që shihet, mund të konstatohet se ministri aktual i Arsimit, Arsim Bajrami, po frikësohet që të bëjë ndryshme në blerjen e teksteve shkollore nga nëntoka e oligarkëve dhe mafio-politikanëve dhe nuk guxon të ndërpresë blerjen e librave nga shtëpitë botuese, "Dukagjini" dhe "Libri Shkollor". Shihet qartë se në këtë tender, ku përfitimet janë të mëdha, është e implikuar politika dhe ministrat në të shumtën e rasteve duhet vetëm të nënshkruajnë atë që u ofrohet. Dhe, kur shihet kjo situatë, nuk ka shpresë se dikush do të intervenojë që kjo të ndalet njëherë e mirë. Analistët mendojnë se ky avaz i blerjeve marramendëse e në shumë raste të panevojshme nëse do të vazhdojë edhe më tutje do ta rëndojë financiarisht buxhetin dhe po ashtu do t'i dëmtojë edhe nxënësit, të cilët marrin tekste falas, por me shumë probleme, defekte logjike dhe shpeshherë librat janë diskriminues. Publicisti Shefqet Dibrani mendon se nëse ministri aktual pranon që të nënshkruajë kontrata të kundërligjshme, ai automatikisht bëhet pjesë e procesit, sikur shumë ishministra, duke filluar nga Hoxhaj e deri te Buja. "Nëse ministri Arsim Bajrami vazhdon avazin e kundërligjshëm për blerjen e teksteve shkollore nga të njëjtat ndërmarrje, për të cilat është shkruar mjaft këtu në gazetën "Kosova Sot", më nuk bëhet fjalë për frikën, por automatikisht ai bëhet pjesë e procesit të kundërligjshëm. Në këto raste, kur skandalet bëhen publike, ministri Bajrami e ka pasur për obligim ta ndërpresë kontratën, madje edhe sikur libri të ishte duke u shtypur do të duhej të ndërpritej procesi, të rishikohen kontratat e marrëveshjet, të sqarohet opinioni, kurse komisioni përkatës t'i nënshkruajë marrëveshjet e reja konform ligjit, madje është dashur që moti të hiqeshin këto dilema", thotë ai...  (Më gjerësisht mund t'a lexoni në numrin e sotëm të gazetës KOSOVA SOT)