Mulaj: Qeveria ‘Mustafa-Thaçi’ e mban peng Kosovën për në BE

  • 12 February 2016 - 18:58
Mulaj: Qeveria ‘Mustafa-Thaçi’ e mban peng Kosovën për në BE

Lidhur me gjendjen aktuale në vend, si atë politike edhe atë ekonomike, analisti Isa Mulaj fajëson Qeverinë aktuale ‘Mustafa-Thaçi’.

Ai në një prononcim për gazetën Kosova Sot Online thotë se kjo qeveri po e mban peng perspektivën e Kosovës për në BE.

“Është shumë qartë se klanet dhe grupet e krimit, që i kanë kapur institucionet e Kosovës, po nxjerrin dhe imponojnë ligje për interesat e tyre materiale, por për çudi dhe për dallim nga shumica e shteteve të tjera, këto grupe nuk çajnë kokën dhe në shumicën e rasteve as që i lexojnë ligjet dhe marrëveshjet, kur dëmtohet rëndë interesi i Kosovës”, ka thënë ai.

“Këto grupe janë treguar shpërfillëse gjithmonë, kur është në pyetje interesi i Kosovës, madje gënjeshtrat dhe mashtrimet i kanë bërë rutinë të punës së tyre, por kur vjen në pyetje përgjegjësia për pasuritë e tyre të jashtëligjshme dhe udhëheqjen e krimit, tregojnë vullnet të konfrontohen edhe me SHBA-në dhe BE-në”, vlerëson analisti Mulaj.

Ai shtoi se me këtë qasje ata janë duke e mbajtur peng perspektivën e Kosovës për në BE, sepse ajo perspektivë kërkon eliminimin e monopoleve, krijimin e kushteve për konkurrencë, luftimin e korrupsionit, arrestimin e kriminelëve, vlerësimin e punës shkencore të pseudoakademikëve, spastrimin e institucioneve publike dhe shtetërore nga familjarizimi primitiv, eliminimin e konflikteve të interesit. E secila prej këtyre veç e veç apo së bashku nuk po u konvenon mafio-oligarkëve dhe disa qytetarëve, sepse janë mësuar të përfitojnë duke i shtypur të tjerët.

 (Kosova Sot)