Autoritetet franceze do të largojnë emigrantët nga ‘Xhungla’

  • 12 February 2016 - 20:55
Autoritetet franceze do të largojnë emigrantët nga ‘Xhungla’

Autoritetet franceze deklarojnë se kanë ndërmend të lëvizin rreth 1 mijë emigrantë që jetojnë në kampin famëkeq të quajtur Xhungla, në qytetin-port Kalais.

Përfaqësuesja e qeverisë, Fabienne Buccio deklaroi se atyre do t’u jepet një javë kohë për të pranuar strehimin në një vend tjetër.

“Ka ardhur koha që të lëvizim. Askush nuk duhet të jetojë më në pjesën jugore të kampit, të gjithë duhet të largohen nga ai seksion”, deklaroi Buccio, transmeton Tch.

Autoritetet franceze pritet ta vizitojnë kampin të hënën dhe t’u shpjegojnë refugjatëve planin e tyre, sqaroi zyrtarja.

Rreth 4 mijë emigrantë, shumica e të cilëve nga Afrika e Veriut, Lindja e Mesme dhe Afganistani jetojnë në kampin e improvizuar, prej nga përpiqen të arrijnë Britaninë e Madhe përmes kanalit të La Manshit.

Prania e tyre është bërë objekt debatesh në të dyja vendet. E teksa dimri është në muajt më të ftohtë, një qendër e re me 125 konteinerë anijesh të kthyer në strehë është ngritur për të pritur 1.500 emigrantë, për t’u ofruar atyre kushte më të mira, ngrohje dhe energji elektrike.

Por shumë prej tyre e kanë kundërshtuar lëvizjen në konteinerë, që u kërkon marrjen e gjurmëve të gishtave, nga frika se kjo do të pengojë përpjekjet e tyre për të arritur Britaninë.