Azilkërkuesit po ikin nga Finlanda në mënyrë vullnetare

  • 12 February 2016 - 21:37
Azilkërkuesit po ikin nga Finlanda në mënyrë vullnetare

Mijëra refugjatë, të cilët kanë mbërritur në Finlandë vitin e kaluar, kanë vendosur të anulojnë aplikimin për azil dhe të kthehen në vendet e tyre. Ata thonë se ndihen të zhgënjyer me jetën që ofron vendi nordik.

Që prej mesit të vitit 2015, Europa po përballet me një prej krizave më të mëdha të emigrantëve që prej Luftës së Dytë Botërore. Më shumë se një milion njerëz kanë mbërritur në kontinentin e vjetër, në përpjekje për t’i ikur luftës dhe varfërisë në vendet e Lindjes së Mesme.

Në vitin 2015, Finlanda u përball me dhjetëfishin e emigrantëve të mbërritur gjatë 2014-s. Rreth 2/3 e azilkërkuesve të mbërritur vitin e kaluar në Finlandë ishin irakianë, kryesisht meshkuj. Por  ata duket se kanë ndryshuar mendim për qëndrimin në Finlandë, çka ka bërë që autoritetet vendase të marrin masat për të vënë në dispozicion fluturime të posaçme nga Helsinki drejt Bagdadit.

Zyrtarët vendës thonë se 4100 azilkërkues i kanë anuluar kërkesat e tyre deri tani.

Ata u kanë thënë punonjësve të shërbimit të emigrantëve se duan të kthehen te familjet e tyre pasi janë të zhgënjyer me jetën në Finlandë.

“Disa thonë se kushtet dhe procedurat e gjata për azil nuk janë ajo çka prisnin kur erdhën. Të tjerë thonë se nuk u pëlqen ushqimi, temperaturat janë shumë të ulëta ose nuk ndihen të mirëpritur”, citohen persona që kanë pasur kontakt të drejtpërdrejtë me emigrantët.

Finlanda po përgatitet të refuzojë qëndrimin e rreth 20 mijë azilkërkuesve të regjistruar vitin e kaluar, por kthimet vullnetare pritet ta ulin këtë numër.

Fluturimet Helsinki-Bagdad nisin javën e ardhshme dhe do t’u japin mundësi 100 pasagjerëve të largohen çdo ditë nga kryeqyteti finlandez.