Pandeli Majko sqaron “vjedhjen e palltos”

  • 12 February 2016 - 22:41
Pandeli Majko sqaron “vjedhjen e palltos”

Mediet në vend raportuan gjatë paradites së të premtes se deputetit i Partisë Socialiste, Pandeli Majko, i kishin vjedhur pallton gjatë një takimi me të rinj të FRESSH’it në Tiranë të dielën e shkuar.

Por duket se vetë ligjvënësi i majtë e ka marrë me sportivitet këtë ndodhi. Përmes një postimi në profilin e vet në Facebook, ish-kryeministri ka përdorur nota humori dhe sarkazme për ta sqaruar ngjarjen.

“Shënim:Lexova në medien e shkruar që më kanë vjedhur pallton. Sqarim: Kam ca vite që nuk vesh pallto. Humor: Meqë në këtë vend vjedhja është një akt shumë, por shume ‘pak’ i përhapur, jam i prekur që dikush bën një publicitet të tillë. Një xhup imi, gjithsesi, i turbulluar nga ligjëratat e takimit ‘u zgjua’ në një shtëpi tjetër. Si lexues i faqes ‘Jeta osh qef’, ky është ai momenti kur kupton se e majta ka detyrim rishpërndarjen e të mirave materiale. Natën e mirë”, shkruan Majko në shpjegimin e tij.