I kërkoi nuses së dajës para ‘për shaka’, prokuroria kërkon 3 vjet burg

  • 12 February 2016 - 23:44
I kërkoi nuses së dajës para ‘për shaka’, prokuroria kërkon 3 vjet burg

Prokuroria për Krime të Rënda në Shqipëri kërkon dënimin me tre vjet burg për Ardi Boshnjakun, i cili kërcënoi me letër anonime nusen e dajës për 500 mijë lekë.

Ngjarja është shënuar më 18 mars 2015 në qytetin e Elbasanit, ku i pandehuri ka kërcënuar me një letër “anonime” shtetasen E.D. se “do të kishte pasoja” nëse ajo nuk i jepte 500 mijë lekë.

Procesi është zhvilluar me gjykim të shkurtuar dhe në përfundim Prokuroria kërkon dënimin e tij përfundimtar me dy vjet burgim.

Ndaj Boshnjakut rëndon akuza “Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie”.

Pasi prokuroria vërtetoi se autori i letrës ishte ai, edhe vetë Boshnjaku e pranoi, por shtoi se e kishte bërë për shaka. “Por, në bazë të veprimeve hetimore, rezulton se kjo letër kërcënuese nuk ishte ‘një shaka’, për faktin se ai ka kryer të gjithë veprimet e nevojshme dhe ka qenë në pritje të marrjes së parave nga e afërmja e tij, pasi në letër i kishte dhënë edhe orientimet e nevojshme se ku do të dorëzohej shuma e parave”, sqaron prokuroria, transmeton shekulli.

Hetimet ndaj të pandehurit u zhvilluan fillimisht në masën e sigurisë “arrest me burg”, vendosur nga Gjykata për Krime të Rënda, por nga 15 prilli 2015 ai është i lirë, pasi Gjykata e Apelit caktoi ndaj tij masën e sigurimit “detyrim për tu paraqitur në Policinë Gjyqësore”.