Rebelët sirianë: Do të vazhdojmë të luftojmë, nuk i zëmë besë rusëve

  • 13 February 2016 - 08:43
Rebelët sirianë: Do të vazhdojmë të luftojmë, nuk i zëmë besë rusëve

Grupet e rebelëve në Siri janë shprehur se ata nuk do të ulin armët sepse nuk besojnë se Rusia do të ndalojë fushatën ajrore në mbështetje të qeverisë, shkruan BBC.

Për BBC-në, ata kanë thënë se janë skeptikë në lidhje me marrëveshjen që është arritur mes fuqive të mëdha për armëpushim në Siri. Rebelët gjithashtu kanë përsëritur kërkesën që presidenti Bashar al-Assad të largohet nga posti i të parit të vendit.

Assad deklaroi se ka ndërmend të rimarrë nën kontroll “të gjithë vendin”. Në një intervistë të rrallë, ai tha për agjencinë e lajmeve “AFP” se mposhtja e rebelëve mund të kërkojë pak kohë për shkak të përfshirjes së fuqive rajonale.

Deklaratat e tij erdhën vetëm disa orë pasi fuqitë botërore ranë dakord të kërkojnë ndalimin e luftimeve në Siri brenda një jave, nismë kjo që nuk përfshin betejat kundër Shtetit Islamik dhe Frontit al-Nusra.

Ndërkohë, grupet si Ushtria e Sirisë së Lirë, Ahrar al-Sham dhe Faylaq al-Sham kanë thënë se nuk do t’i ulin armët derisa presidenti të largohet, ndërsa shprehen se nuk iu zënë aspak besë rusëve.

(Kosova Sot)