Konspiracioni serb: Për 500 mijë dollarë, Serbia humbi përkrahjen e SHBA-ve

  • 13 February 2016 - 13:32
Konspiracioni serb: Për 500 mijë dollarë, Serbia humbi përkrahjen e SHBA-ve

Ish kryetari i Serbisë dhe i ish-Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, gjatë viteve të 90-ve, kishte humbur përkrahjen e SHBA-ve pasi nuk kishte pranuar të paguaj 500 mijë dollarë për lobim në Kongres.

Në një shkrim të botuar në mediumin proqeveritar dhe nacionalist serb, telegraf.rs, thuhet se Serbia në atë kohë kishte humbur përkrahjen e shumë fuqive botërore, para së gjithash të SHBA-së. Në këtë shkrim, thuhet se si rezultat i kësaj, më vonë kanë ndodhur ngjarjet e Kninit, bombardimet në vitit 1999 dhe sanksionet e fuqishme.

Por nuk përmendet asnjëherë se Serbia ka qenë vendi që ka filluar luftëra me vendet tjera dhe ka qenë fajtore për masakrat dhe gjenocidin e bërë ndaj kroatëve, boshnjakëve dhe së fundi, shqiptarëve.

Më tutje, thuhet se e gjithë ngjarja e asaj dekade, do të mund të ndryshonte nëse do të paguhej shuma prej gjysmë milioni dollarë amerikanë.

Sipas këtij shkrimi, thuhet se udhëheqësi i atëhershëm i Jugosllavisë – Millosheviqi kishte refuzuar ofertën për shërbimin në dobi të Serbisë të dy njerëzve shumë të rëndësishëm në SHBA, duke besuar se “kauza serbe do të fitonte”.

Në një libër të shkrimtarit serb, Marko Laposhin, thuhet se Serbia do të kishte mundur të ishte shteti me lobistët e parë të saj në Kongres, të cilët do të ishin Henry Kissinger dhe Lawrence Eagleburger, por sipas tij, e gjitha ishte ndaluar nga Millosheviqi.

Në fillim të nëntëdhjetave, Lawrence Eagleburger dhe Henry Kissinger, sipas burimeve të autorit të këtij shkrimi, i kishin kërkuar Serbisë një honorar prej gjysmë milioni dollarë për t’i prezantuar interesat e këtij shteti në Kongres.

Diaspora serbe në SHBA dhe vet Serbia, siç thuhet në këtë shkrim, nuk kishin pranuar ta paguajnë këtë shumë. Ndërsa nga Çikago, emigrantë serbë thonë se ata nuk kishin para ta paguajnë këtë shumë.

Dhe këtë refuzim të serbëve dhe Millosheviqit, siç thuhet në këtë tekst, e kanë shfrytëzuar shqiptarët e Kosovës, të cilët, siç thuhet, e kanë njërin nga lobet më të forta në SHBA.

Ndërsa, pa u bazuar në ndonjë fakt apo burim, thuhet se shqiptarët e Kosovës për të lobuar në interesa të tyre në SHBA, paguajnë në vit 15 milionë, ndërsa jozyrtarisht rreth 50 milionë dollarë në vit.

Ish presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, më 1 prill të vitit 2003 kishte nënshkruar një kontratë me kompaninë lotuese “Alston & Bird LLP” duke paguar 30 mijë dollarë në muaj për ta promovuar pavarësinë e Kosovës. Ky dokument, siç thuhet, ende ekziston në faqen e Ministrisë së Drejtësisë së SHBA-ve me titullin “Pavarësia e Kosovës”, thuhet në këtë shkrim,transmeton lajmi.net.

Miroslav Michael Gjorgjeviq, një amerikan-serb u kishte bërë thirrje në atë kohë udhëheqësisë së Serbisë që të fillojë lotimin në SHBA.

(Kosova Sot)