Kurti: Më 17 shkurt, opozita do të thyejë rekordin me protestues

  • 13 February 2016 - 15:25
Kurti: Më 17 shkurt, opozita do të thyejë rekordin me protestues

Deputeti i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka thënë se protesta e 17 shkurtit do të jetë më e madhe se ajo e mbajtur më 9 janar të këtij viti.

Kurti ka thënë se protesta e 9 janarit ka qenë më e madhja që nga paslufta, kurse opozita do të thyejë rekordin e asaj të 9 janarit më 17 shkurt, raporton gazta Kosova Sot Online.

Demonstratat e 17 shkurtit, sipas tij do të jenë përfundimtare për Qeverisë, e cila duhet të shkojë bashkë me ‘Zajednicën’ dhe demarkacionin.

''Në 5 muajt e fundit, opozita e ka goditur fuqishëm qeverinë e Serbisë, e cila nuk u godit asnjëherë nga Qeveria e Kosovës '', ka thënë Kurti.

Sipas Kurtit, qeveria e Kosovës nuk po e pranon renegocimin e Demarkacionit pasi që me këtë do ta pranonte krimin që deshi ta bëjë duke falur tokën e Kosovës.

 Ai tutje ka thënë se qeveria nuk e ka hallin te shkelja e ligjit nga opozita, hedhjen e gazit e organizimin e protestave, por e kanë problem guximin që e ka opozita për të kundërshtuar atë.

“Asnjë goditje askush nuk ia ka dhënë Serbisë, ashtu siç ia ka dhënë opozita e bashkuar. Sot Zajednica ka vdekur dhe obligim i joni është që ajo nuk duhet të ngrihet”, tha Kurti.

Aktiviteti i mbajtur në Sallën e Kuqe në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, ishte vetëm një nga aktivitetet e shumta të organizuara nga tri partitë opozitare me qëllim mobilizimin e qytetarëve për protestën e 17 shkurtit.

(Kosova Sot)