Lekaj: Drejtësia në Kosovë, e dirigjuar nga urdhrat politikë

  • 13 February 2016 - 17:01
Lekaj: Drejtësia në Kosovë, e dirigjuar nga urdhrat politikë

Deputeti opozitar Pal Lekaj, nga radhët e AAK-së, thotë se Kosova aktualisht nuk gëzon një shtet të së drejtës, dhe se Qeveria e vendit nuk e ka si qëllim që të kemi një drejtësi të mirëfilltë.

''Kjo Qeveri nuk ka mendim as veprim për të pasur një drejtësi në ketë vend, derisa gjyqësori pranon urdhra politikë dhe burgos deputetë që janë të thirrur për ta mbrojtur integritetin dhe sovranitetin e vendit jo për interesa individuale, por për interesa të përgjithshme në mbrojte të Republikës", tha Lekaj në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”.

''Ndërsa lëndët për korrupsion dhe krim të organizuar mbesin në sirtarët e atyre që ndajnë drejtësi me urdhra politikë'', tha Lekaj, duke folur se si drejtësia ndodh të ndahet me urdhra politikë.

 Ai e sheh drejtësinë si joefikase dhe si shkatërruese karshi guximit për të siguruar mbizotërimin e një shteti të së drejtës.

 ''Kjo drejtësi nuk mund të quhet ndryshe përpos drejtësi selektive dhe që shkatërron në themel guximin për të ndërtuar shtetin e së drejtës. Qeveria nuk ka argumente bindëse, por ka zgjedhur të përdorë të gjithë aparatin e shtetit për të na ndalur në kauzën tonë të drejtë'', vazhdoi ai.

 Lekaj tha për ''Kosova Sot'' se e tërë kjo po vjen nga një sistem i drejtësisë, i cili është nën urdhrat dhe direktivat e Qeverisë aktuale, duke cilësuar se janë saktësisht këto gjykata, të cilat kontribuuan në vendosjen e Kosovës në majat e korrupsionit, gjë që u tha edhe në raportin e fundit të publikuar nga '' Tranparency International ''për praninë e korrupsionit nëpër institucione publike.

(Kosova Sot)