Tahiri: Qeveria është në ditët e saj të fundit

  • 13 February 2016 - 20:10
Tahiri: Qeveria është në ditët e saj të fundit

''Pasqyra reale e një pushteti të tillë është: Përdor njësitin antiterror për të sulmuar zyrat e VETËVENDOSJE!-s, e në anën tjetër suspendon policët që në kryerje të detyrës zyrtare dënojnë për kundërvajtje në komunikacion shoferin e një ministri. Kjo është "drejtësia" në Kosovë'', tha Tahiri

Adonis Tahiri, nga Lëvizja "Vetëvendosje!" tha për Kosova Sot Online  se në drejtësinë e Kosovës nuk beson tashmë askush.

''Sistemi i drejtësisë është shndërruar në instrument në duart e regjimit, për të mbrojtur vetveten. Aktualisht, në Kosovë askush nuk thotë se ka drejtësi, për shkak se askush nuk beson në sistemin e drejtësisë'', tha ai.

 '' Kemi mbi 70 dosje të Isa Mustafës për krim urbanistik në Prishtinë, shumë e shumë afera të tjera korruptive të qeveritarëve e të familjarëve të tyre, dhjetëra raste të kryetarëve të komunave ku udhëheq PDK-ja, me të cilat nuk u morën asnjëherë gjykatat'', vazhdoi Tahiri. ''I tërë sistemi i drejtësisë është në funksion të politikës së mbrapshtë të koalicionit qeverisës - për t'i mbrojtur aferat e veta kriminale, për të dënuar qytetarë dhe për ta shtypur opozitën'', tha ai.

Tahiri përmend emrat e atyre që po vuajnë dënimin vetëm sepse kundërshtuan marrëveshjet e Qeverisë për themelimin e Asociacionit të Komunave serbe dhe demarkacionin me Malin e Zi.

''Trim Gashi dhe Besnik Zeqiraj ende po mbahen në paraburgim. Të dy bashkë kanë mbajtur 181 ditë paraburgim deri sot, vetëm e vetëm pse janë kundër "Zajednicës" dhe kundër demarkacionit me Malin e Zi'', tregon Tahiri.

''Qeveria e Kosovës është në ditët e saj të fundit, prandaj po shfrytëzon çdo mekanizëm që të mbetet në pushtet'', shtoi ai.

(Kosova Sot)