Qeveritë po ndërrohen, Demjani nuk po ndryshon

  • 13 February 2016 - 21:36
Qeveritë po ndërrohen, Demjani nuk po ndryshon

Demjani i Gjakovës, fshati i harruar nga të gjitha pushtetet

Pushteti lokal nuk e mbajti premtimin për fshatin më të madh

“Mjafton të vizitosh shkollat “Durak Ahmeti” në pjesën Demjan-Qendër, e cila ka rreth 400 nxënës; “Kongresi i Manastirit” në pjesën Demjan-Lagja e Shehut, që ka gati 300 nxënës dhe atë “Pjetër Bogdani” dhe do të bindesh se në çfarë gjendje janë këto objekte. Aty nuk ka ujë, nuk ka kanalizim, ujërat e zeza shpesh mbulojnë oborrin dhe kjo paraqet rrezik shumë të madh për infektimin e nxënësve të këtyre shkollave”, ankohet Cena

 

Treva e Hasit të Thatë, e cila shtrohet në dy komuna, në Gjakovë dhe në Prizren, gjithnjë është shquar për furrtar të dalluar të cilët këtë profesion e kanë ushtruar dhe vazhdojnë ta ushtrojnë në shumë vise jo vetëm të ish-Jugosllavisë, por edhe më gjerë dhe për prodhues të gëlqeres. Prandaj, jorastësisht shpesh thuhet se buka e gëlqerja i kanë mbajt ata gjallë. Në fakt, hasjanët shquhen si punëtorë të mëdhenj të cilët, siç thotë populli “paranë e nxjerrin dhe nga guri i thatë”. Pavarësisht nga kjo, nuk mund të thuhet se ata, në vendlindjen e tyre, bëjnë ndonjë jetë të rehatshme dhe të begat. Jo vetëm mungesa e ujit të pijshëm, për çka edhe treva e ka marrë emrin Hasi i Thatë, por edhe mungesa e objekteve të tjera të infrastrukturës ua bënë atyre jetën më të vështirë, prandaj mbase edhe nuk është çudi që një numër shumë i madh i hasjanëve e ka braktisur vendlindjen dhe jetojnë kudo nëpër Evropë.

 

Më shumë se 5 mijë banorët e Demjanit jetojnë në kushte të vështira

Fatin e fshatrave të tjerë të kësaj treve e ndan edhe Demjani, njëri ndër fshatrat më të mëdha të Kosovës, për nga numri i banorëve. “Nuk e di si qëndron situata në nivel të Kosovës, por, sipas regjistrimit të fundit, me 5.130 banorë, jemi fshati më i madh i Gjakovës”, shpjegon për gazetën Hamez Cena, këshilltar komunal i Gjakovës nga AAK-ja. Banorët e këtij fshati ankohen se nuk iu ka ndihmuar shumë fakti se janë fshati më i madh i komunës, për të zgjidhur disa probleme jetike me të cilat janë ballafaquar edhe në të kaluarën e vazhdojnë të ballafaqohen edhe tash. “Kemi shumë probleme që na vështirësojnë jetën në fshat dhe shumicën prej tyre, unë, disa herë, prej se jam zgjedhur këshilltar komunal, tash e më shumë se dy vite i kam potencuar në mbledhjet e Asamblesë Komunale, por të gjitha kanë hasur në vesh të shurdhër”, ka thënë Cena...(Më gjerësisht mund t'a lexoni në numrin e sotëm të gazetës KOSOVA SOT)