Punëtorët e Pallatit të Drejtësisë nesër në protestë

  • 14 February 2016 - 12:34
Punëtorët e Pallatit të Drejtësisë nesër në protestë

Mungesa e kushteve të punës, mungesa e transportit e më e rëndësishmja mungesa e oksigjenit, janë arsyet që punëtorët e Pallatit të Drejtësisë kanë paralajmëruar protestë për të hënën.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Judikaturës, Asllan Rusinovci e konfirmoi se të hënën do të ketë protestë në Pallat.

“Ende nuk e kemi përcaktuara kohëzgjatjen, por të hënën do të kemi një protestë në Pallatin e Drejtësisë, dhe me gjasë do të fillojë nga ora 11:00”, tha Rusinovci.

Rusinovci theksoi se është shumë i shqetësuar me raportimet në media lidhur me një ekspertizë që konstaton se parametrat e oksigjenit në Pallatin e Drejtësisë janë larg normales.

“Unë nuk e kam parë këtë ekspertizën që po përflitet në media, por edhe ekspertizat e kaluara kanë qenë shumë shqetësuese dhe kanë konstatuar se ka rrezik evident për shëndetin e punëtorëve që punojnë në Pallat”, tha Rusinovci.

Ditë më parë, edhe Kryetari i Gjykatës Themelore të Prishtinës, Hamdi Ibrahimi, si njëri nga më të zëshmit lidhur me këtë proces, paralajmëroi se nga java e ardhshme mund të ketë shkurtim të orarit të punës por nuk përjashtoi as bojkotimin e punës nga stafi i kësaj gjykate.

Mungesa e oksigjenit në Pallatin e Drejtësisë ishte arsyeja që edhe Gjykata Supreme e Kosovës ditë më parë lëshoi një komunikatë ku shprehu shqetësimin e punonjësve të saj lidhur me këtë problem kritik në këtë objekt.

Mungesa e oksigjenit është një shqetësim i përhershëm për punëtorët që punojnë në këtë Pallat. Për shkak të këtij problemi disa herë janë organizuar protesta dhe greva.

Protesta e fundit u organizua nga gjyqtarët, prokurorët dhe i gjithë stafi administrativ që punon në këtë objekt më 17 dhjetor të vitit të kaluar.

Prokurori, Blerim Igrishta,  kishte konfirmuar se ishte bërë një ekspertizë rezultatet e së cilës ishin shumë brengosëse, raporton Kallxo.com.

“Ekspertiza është bërë prej një firme që e ka licencën gjermane prej qeverisë gjermane. Ekspertiza ka ardhur dhe për fat të keq ka dalë shumë e keqe, që sipas ekspertëve këtu çdo minutë rrezikohet jeta dhe shëndeti i personave që punojnë në pallat. Kjo është arsyeja më e fortë që na bën të dalim e të protestojmë dhe të mos pajtohemi me kushtet që i kemi këtu”, kishte thënë.

Protesta nën moton “Duam Oksigjen”, ishin organizuar edhe në prill të vitit të kaluar. 

(Kosova Sot)