Legjenda për kalanë, që buronte qumësht nga gurët

  • 14 February 2016 - 15:14
Legjenda për kalanë, që buronte qumësht nga gurët

Brenda kodrinës mendohet se ka ekzistuar një qytet i tërë

Sipas legjendës, qumështi buronte nga një gur i bardhë që ishte në murin e dytë të kalasë. Thuhet se këtë qumësht, që në të vërtetë ishte një ujë i bardhë, gratë e shfrytëzonin për t’i ushqyer fëmijët e tyre të vegjël

Kalaja e Pogragjës, një nga monumentet më të lashta në rajonin e Gjilanit, e ka historinë e vet, e cila bazohet në të vërteta dhe legjenda, të cilat janë trashëguar brez pas brezi, si rrëfime të mira e të hidhura. Sipas gojëdhënave, ndërtimi i saj ka zgjatur disa vite, aq sa njëri prej muratorëve më të mirë të kësaj ane, siç thuhet, nuk e kishte njohur as djalin e tij, i cili ishte rritur e bërë burrë, kur ai kishte shkuar që të takonte babanë. Kalaja e Pogragjës, sipas pleqve të kësaj ane, është një monument shumë-shumë i vjetër, po aq sa edhe rrëfimet për historinë e saj, të cilat janë bartur nëpër shekuj. Në murin e dytë të kalasë, legjenda thotë se ekzistonte një gur i bardhë, nga i cili buronte pa ndalë ujë si qumësht. Thuhet se këtë ujë, gratë e shfrytëzonin si qumësht për t’i ushqyer fëmijët e tyre të vegjël. Pos qumështit që buronte nga guri, kalaja kishte edhe mrekulli të tjera, që te populli i kësaj ane janë ruajtur si rrëfime për kalanë. Thonë se njëherë, një bari plak, i njohur si mixha Daut dhe një rojtar pylli, ishin zhdukur diku pa gjurmë dhe askush më nuk ka marrë vesh për fatin e tyre. Supozohet se ata kishin gjetur qypin me lira në lokalitetin e kalasë dhe ishin larguar rrugëve të panjohura. Në të njëjtin vend, ku sipas legjendës, bariu dhe rojtari kishin gjetur ar, më vonë janë parë hulumtues tjerë të panjohur. Me siguri kanë ardhur për të kërkuar ndonjë qyp tjetër me lira dhe gjësende tjera me vlerë të kohës romake.

Image

Takimi tragjik i djalit me babanë

Kalaja ka qëndruar krenare, derisa ka rënë në duart e pushtuesve, të cilëve, sipas gojëdhënave, iu kishte ndihmuar një plakë që të gjenin portën hyrëse. Ndryshe, kalaja nuk mund të mposhtej. Kalaja përbëhet nga mure, shpella e korridore të ndryshme. Thonë se brenda saj, në nëntokën e kodrinës, ka ekzistuar një qytet i tërë. Edhe fshati (Pogragjë) supozohet ta ketë marrë emrin sipas kalasë. Muri i kalasë është i ngritur prej gurëve, të bartur dorë më dorë, nga lumi Morava e Binçës. Ndërtimi i kalasë ka zgjatur për shumë vite dhe njëri nga ustallarët e murimit, sipas gojëdhënave, ka qenë nga Lipovica, që gjendet jo shumë larg fshatit Pogragjë. ..(Më gjerësisht mund t'a lexoni në numrin e sotëm të gazetës KOSOVA SOT)

 

Image