“Një Miliard në Këmbë” në Prishtinë kundër dhunës ndaj gruas

  • 14 February 2016 - 15:36
“Një Miliard në Këmbë” në Prishtinë kundër dhunës ndaj gruas

Me marshim dhe vallëzim nëpër sheshet e Prishtinës në kuadër të fushatës “Një Miliard në Këmbë”, edhe vendi ynë iu bashkua iniciativës globale që ka për qëllim të bëjë ngritjen e vetëdijes kundër dhunës ndaj grave. Marshimi u organizuara nga Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës, Artpolis dhe Girls Coding Kosova.

Adelina Berisha, hulumtuese nga Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës dhe koordinatore për evokim, tha se është viti i katërt që po e bëjnë këtë organizim me qëllim të vetëdijesimit kundër dhunës ndaj grave.

Sipas saj, rrjeti i grave vitin e kaluar ka organizuar hulumtime për dhunën në familje dhe për ngacmimet seksuale, ku si rezultat 68% e grave në Kosovë kanë përjetuar dhunë, ndërsa 48% kanë qenë viktima më ngacmime seksuale.

“Ky është viti i katërt që po organizohet “Një Miliard në Këmbë”, është një iniciativë globale e cila organizohet në të gjithë botën dhe ka për qëllim të bëjë ngritjen e vetëdijes kundër dhunës ndaj grave. Statistikat botërore tregojnë se çdo e treta grua është viktimë e dhunës në familje, në këtë situatë jemi edhe ne në Kosovë. Rrjeti i Grupeve të Grave ka organizuar hulumtime vitin e kaluar për dhunën në familje dhe për ngacmimet seksuale, ku rezultatet kanë treguar që 68% e grave në Kosovë kanë qenë gjatë jetës së tyre,në ndonjë formë kanë përjetuar dhunë në familje, ndërsa mbi 48% kanë qenë viktima të ngacmimit seksual”, tha Berisha, raporton KP.

Ajo kujton se dhuna është mjaftë e shprehur ndaj grave në Kosovë, shtrirja është e njëjtë me statistikat globale, çdo e treta grua në Kosovë ka përjetuar ndonjë formë të dhunës ndaj saj apo dhunës në bazë gjinore.

Berisha gjithashtu bëri të ditur se Kosova ka një infrastrukturë mjaftë të mirë e cila ju ofron ndihmë viktimave të dhunës në familje.

“Sa i përket dhunës në familje, Kosova e ka një infrastrukturë mjaftë të mirë, e cila ju ofron ndihmë viktimave të dhunës në familje, mirëpo gjithmonë duhet të kemi parasysh që ka hapësirë edhe për përmirësime. Kosova ende jeton në një shoqëri patriarkale, ku gratë shumë pak gëzojnë të drejtat e tyre, për këtë arsye edhe qëndrojnë në ambient ku ndaj tyre ushtrohet dhunë”, tha ajo.

Në fund, përfaqësueset e Rrjetit të Grupeve të Grave në Kosovë, thanë se duhet të kenë parasysh institucionet e Kosovës, se kur vjen rasti tek aspekti ligjor të qojnë drejtësinë deri në fund, ta dënojnë dhunuesin, të ia ofrojnë viktimës të gjitha të drejtat të cilat asaj i garantohen me ligj, si dhe të punohet më shumë në ri integrim dhe rehabilitim të tyre.