Amerika trajnon FSK-në në Gjermani, e konsideron partnere

  • 14 February 2016 - 19:55
Amerika trajnon FSK-në në Gjermani, e konsideron partnere

Derisa partnerët e koalicionit kanë ngecur për të transformuar Forcën e Sigurisë së Kosovës në Forcë të Armatosur, Shtetet e Bashkuara të Amerikës po ndihmojnë në këtë rrugë.

Pjesëtarë të FSK-së, nën komandën e Rrahman Ramës, po qëndrojnë në Grafenwohr të Gjermanisë për të forcuar kapacitetet e tyre në trajnime që ushtria amerikane po ua ofron.

Në faqen zyrtare të Rrjetit të Forcave Amerikane në Bavari në Facebook, është publikuar një video, ku ushtria amerikane dhe forcat e Kosovës shihen duke kryer ushtrime të përbashkëta.

Aty thuhet se forcimi i marrëdhënieve me forcat partnere dhe forcimi i liderëve të rinj janë dy nga prioritetet e Ushtrisë amerikane në Evropë, për çka qendra e përbashkët multinacionale është duke punuar me Forcën e Sigurisë së Kosovës, raporton KTV.

Sipas programit legjislativ, tek në fund të vitit 2016, Qeveria e Kosovës ka paraparë që t’i dërgojë në Kuvend ndryshimet e duhura të legjislacionit, për ta transformuar FSK-në në FAK.