Vidhet uji i ngrohtë i Ngrohtores së Gjakovës (Video)

  • 14 February 2016 - 20:01
Vidhet uji i ngrohtë i Ngrohtores së Gjakovës (Video)

Keqpërdorimi i ujit të ngrohtë nga persona të panjohur ka vënë në pikëpyetje funksionimin dhe ngrohjen e rregullt të banorëve të Gjakovës, ka thënë drejtori ekzekutiv i Ngrohtores, Admir Shala. Për ta eliminuar këtë dukuri, ai ka kërkuar ndihmën e Policisë.

Ngrohtorja e qytetit të Gjakovës po përballet me një problem serioz. Drejtori ekzekutiv i kësaj ndërmarrje publike, Admir Shala, tha për KALLXO.com se keqpërdorimi i ujit të ngrohtë nga persona të panjohur, ka vënë në pikëpyetje funksionimin dhe ngrohjen e rregullt të banorëve të qytetit.

“Java e kaluar ka qenë problematike për ne. Është vënë në pikëpyetje operimi i mëtutjeshëm… Nuk e dimë saktësisht ku mund të jetë problemi, kush mund ta marrë atë, por kemi disa dyshime”, thotë drejtori Shala, teksa shton se dyshimet janë te disa autolarje dhe disa punëtori për zbardhimin e xhinseve, që sipas tij janë afër rrjetit të Ngrohtores.

Ndërsa, kapiteni Kristë Gjokaj tha për KALLXO.com ta ketë pranuar këtë shqetësim nga drejtori Shala.

Për këtë arsye ka organizuar një plan operativ për eliminimin e kësaj dukurie.

Ai ka shprehur një shqetësim lidhur me humbjen e ujit të ngrohtë, gjegjësisht vjedhjen, sipas tij, nga konsumatorët që e shfrytëzojnë këtë ujë.

“Ne do të dalim së bashku me punonjësit e Ngrohtores për një kontroll dhe të eliminojmë këtë dukuri negative” tha komandanti i Stacionit Policor të Gjakovës.

Sipas drejtorit Shala, ky keqpërdorim pos problemeve që i shkakton ndërmarrjes që ai e drejton, paraqet rrezik edhe për shëndetin publik.

“Legionella bateria është një bakter shumë i rrezikshëm, i cili ndodhet në sisteme të mbyllura të ujit të ngrohtë. Bakteri rritet në temperaturë 20 deri në 45 gradë celsius. Megjithëse uji jonë është 70 gradë celsius, ekziston mundësia që në disa gypa ku nuk ka pasur ujë një kohë të gjatë të ketë mbijetuar bakteri, i cili mund të jetë edhe fatal për ata që e përdorin atë ujë“, ka deklaruar drejtori Shala.