Dështimi i tenderëve lë policët të patrullojnë dimrit me këpucë të verës

  • 14 February 2016 - 20:34
Dështimi i tenderëve lë policët të patrullojnë dimrit me këpucë të verës

Policia e Kosovës po e përfundon dimrin duke patrulluar me këpucë vere jo vetëm në qytet, por edhe në zonat kufitare. Dhe kjo, pasi brenda një viti dështoi dy herë tenderi për furnizim me këpucë dimri.

Kompania që ofroi çmimin më të ulët ishte e autorizuar të shiste këpucë të kompanisë “Solid” e cila në këtë proces kishte dhënë çmim më të lartë.

Ofertuesi më i lirë në fund të procesit u tërhoq duke i hapur rrugë “Solidit” që të lidhë kontratë me Policinë e Kosovës.

Me vendim të ministrit të Brendshëm, Skender Hyseni tenderi u anulua me dyshimin se operatorët ekonomikë kishin kurdisur çmimet, raporton KTV.

Por OSHP-ja në dhjetorin e 2015-s në një vendim tjetër i dha të drejtë kompanisë “Solid”.

KTV thotë se ka pritur rreth dy javë që të marrë përgjigje nga Policia e Kosovës e cila nëpërmjet postës elektronike vetëm ka thënë se Policia është furnizuar mjaftueshëm me çizme sipas nevojës.