Burri ia shpëtoi jetën të fejuarës, ia dha gjysmën e mëlçisë

  • 14 February 2016 - 23:11
Burri ia shpëtoi jetën të fejuarës, ia dha gjysmën e mëlçisë

Një burrë altruist, i cili ia ka shpëtuar jetën partneres së tij, duke ia dhënë gjysmën e mëlçisë, po përgatitet për një festim të veçantë të ditës së të dashuruarve me të fejuarën e tij, pas përmirësimit të shënuar në shëndetin e saj. Paul Jones, 29-vjeçar, i ishte nënshtruar operacionit në tetor të vitit të kaluar, pasi që e dashura e tij prej shtatë vitesh, Claire Beams, 24-vjeçare, ngadalë po venitej për shkak se ishte prekur nga ‘biliary atresia’ – një sëmundje shumë e rrezikshme, që shkakton pezmatim të kanaleve të mëlçisë, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Në koncert në Birmingem për ta shijuar në maksimum praninë e njëri-tjetrit

Ajo ishte lindur me këtë sëmundje dhe në moshën e adoleshencës kishte filluar të villte vazhdimisht si dhe përjetonte dhimbje të tmerrshme çdo ditë. Flokët kishin filluar t’i binin dhe ajo ishte molisur aq shumë saqë kishte filluar të lëvizte vetëm me ndihmën e karrocës së invalidëve. Kur një doktor i kishte thënë që mëlçia e saj ishte përkeqësuar në masë të madhe dhe se nuk do t’ia dilte nëse nuk siguronte një transplantim të shëndetshëm, i dashuri i saj, Paul-i, i ishte nënshtruar skanimeve për të shikuar nëse ishte dhurues i përshtatshëm për partneren e tij. Testet kishin treguar që ai ishte dhurues i përkryer dhe pas ndërhyrjes së realizuar në Spitalin e Mbretëreshës Elizabetë në Birmingem, Claire tani është rikthyer plotësisht në jetë. Vitin e kaluar ata e kishin kaluar ditën e Shën Valentinit në spital, mirëpo sonte (e diele) Paul-i do ta dërgojë të fejuarën e tij në një koncert në Birmingem për ta shijuar në maksimum praninë e njëri-tjetrit, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

“Infektohesha shumë lehtë dhe me nevojiteshin muaj të tërë për t’u këndellur”

“Kam qenë relativisht e shëndoshë në fëmijëri, mirëpo gjendja ka filluar të më përkeqësohet pak kohë pasi që u pata takuar me Paul-in. Infektohesha shumë lehtë dhe me nevojiteshin muaj të tërë për t’u këndellur. Para dy vitesh u pata sëmurë rëndë dhe nuk mund të këndellesha fare. Mëlçia më ishte përkeqësuar deri në atë pikë saqë sikur të kalonte edhe pak kohë, do të dilte nga funksioni. Villja vazhdimisht. Nuk kisha energji për t’i kryer edhe gjërat më të thjeshta ditore. Në një moment e kam pasur të pamundur edhe ecjen, andaj pata filluar të përdori karroce me rrota. Mirëpo, që prej transplantimit të mëlçisë po ndihem shumë mirë. Nuk ndjej më dhimbje. Nuk kam dashur që Paul-i të ketë dhimbje, andaj jam ndjerë fajtore kur ai i është nënshtruar operacionit për mua, mirëpo, gjithsesi, i jam shumë falënderuese. U jam falënderuese edhe anëtarëve të Fondacionit për Fëmijët e Prekur nga Sëmundjet e Mëlçisë, të cilët më kanë mbështetur shumë”, ka thënë Claire, në një reportazh që është realizuar gjatë ditës së shtunë (dje). Meqë mëlçia është organ riprodhues, mëlçitë e Paul-it dhe Claire-s do t’i kthehen madhësisë dhe funksionit normal.

(Kosova Sot)