Vetëm Specialja e shpëton shtetin nga uzurpatorët

  • 14 February 2016 - 18:30
Vetëm Specialja e shpëton shtetin nga uzurpatorët

Krimi dhe korrupsioni i lartë nga pushtetarët po e shkatërrojnë dhe po e fundosin shtetin

Autorët dhe sajuesit e krizës po i përcjellë nga afër hija e burgut

“Sikur të kishte mundësi që kjo Prokurori brenda natës të burgoste me dhjetëra oligarkë të krimit ekonomik dhe politik, atëherë shpresat e popullatës do të ngjalleshin automatikisht se në këtë vend do të bëhet mirë. Vetëm kur të bëhet shthurja e këtij rrjetëzimi kaq të organizuar kriminal dhe vetëm kur të vihen përpara përgjegjësisë fajtorët kryesorë, të cilët duhet sa më parë të eliminohen nga jeta publike dhe politike, vetëm atëherë do të ketë stabilitet Kosova”, shprehet analisti Shefqet Dibrani

Republika e Kosovës mund të shpëtojë vetëm nëse arrestohen “peshqit e mëdhenj”, e këtë duket se nuk mund ta bëjnë prokurorët kosovarë, por e vetmja shpresë është Gjykata Speciale në Holandë, por edhe Prokuroria Speciale që mund ta çlirojë Kosovën nga të korruptuarit dhe të inkriminuarit që e kanë kapur fort shtetin. Pengesat që po i vë politika, kryesisht pushteti shumëvjeçar, lidhen shumë me Gjykatën Speciale për ta shtyrë sa më shumë që është e mundshme këtë gjykatë, e cila në listën e saj ka njerëzit më "të fortë" të pushtetit e të tej inkriminuar. Në Shqipëri po bëhet Byroja kombëtare e hetimeve që është një ndihmesë që vjen nga SHBA-ja, kurse në Kosovë Specialja përmes hetuesve të vet dhe prokurorit special mund ta pastrojë këtë vend nga krimi e korrupsioni, krimi i organizuar e për të bërë shtet ligjor.

 Njohësi i mirë i çështjeve të sundimit të ligjit, Shefqet Dibrani, mendon se është krejt normale se vetëm Prokuroria dhe Gjykata Speciale mund ta pastrojë politikën nga bosët që kanë kapur shtetin. “Po sikur të kishte mundësi që kjo prokurori brenda natës të burgoste me dhjetëra oligarkë të krimit ekonomik dhe politik, atëherë shpresat e popullatës do të ngjalleshin automatikisht se në këtë vend do të bëhet mirë. Vetëm kur të bëhet shthurja e këtij rrjetëzimi kaq të organizuar dhe vetëm kur të vihen përpara përgjegjësisë fajtorët kryesorë, të cilët duhet sa më parë të eliminohen nga jeta publike dhe politike, atëherë do të ketë stabilitet Kosova, e cila hëpërhë është në një situatë shumë të rëndë, me tendenca për t’u krijuar një gjendje tamam anarkike, e cila do t’i ketë pasojat e shumta. Por, secili qytetar duhet të jetë i vetëdijshëm se kjo gjendje kaq e rënduar ka ndodhur pikërisht nga frika e themelimit të Gjykatës Speciale, e cila po shpresojmë se do të veprojë shpejt dhe pa hezitime”, mendon ai.

Autorët dhe sajuesit e krizës po i përcjellë hija e burgut

Sipas Dibranit, është shqetësuese heshtja dhe lënia në veprim të lirë e përgjegjësve të situatës, të cilët tashmë i drejtojnë dikasteret më të rëndësishme shtetërore, ku nuk ka vlerë bota njerëzore më shumë sesa interesat e tyre materiale. “Sot, Kosova ka një elitë politike shumë të papërgjegjshme, e cila është në gjendje ta shkatërrojë Kosovën për t’i ruajtur privilegjet e tyre. Pikërisht frika dhe paniku nga Gjykata Speciale i ka vënë në lëvizje të gjitha grupet e interesit, të cilat edhe pse nuk e thonë, ndihen mjaft të shqetësuara, sepse janë të vetëdijshme për të kaluarën e tyre kriminale, qoftë në aspektin politik, por edhe në krimin ekonomik, që si duket Gjykata Speciale i ka parasysh që të dyja...(Më gjerësisht mund t'a lexoni në numrin e sotëm të gazetës KOSOVA SOT)