Skandali 30 milionësh i pronave, Azem Syla kapo i grupit

  • 28 April 2016 - 07:31
Skandali 30 milionësh i pronave, Azem Syla kapo i grupit

Ish-gjyqtarë, zyrtarë, serbë e shqiptarë, të dyshuar për skemën kriminale

Anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar, secili me një rol të veçantë, për të privuar Kosovën nga pronat shoqërore në një vlerë përafërsisht prej 30 milionë eurosh, nëpërmjet veprimtarive kriminale, përfshirë falsifikimin e dokumenteve zyrtare dhe dhënien e ryshfetit për zyrtarët publikë. Të dëmtuarit janë buxheti i shtetit të Kosovës dhe familjet serbe të Kosovës, autorizimi i të cilëve për të dhënë parcelat e tokave me qira është keqpërdorur nga grupi i organizuar kriminal.

Policia e EULEX-it dhe ajo e Kosovës në orët e hershme të së mërkurës kanë ndërmarrë një aksion të gjerë policor në tërë territorin e vendit, me ç'rast janë arrestuar 6 persona dhe janë bastisur 42 lokacione të ndryshme.

Operacioni në fjalë është zhvilluar për kapjen e 40 personave të dyshuar për veprat penale të krimit të organizuar, pastrim parash, keqpërdorim i pozitës zyrtare, falsifikim i dokumenteve zyrtare dhe dhënie e marrje e ryshfetit. Në krye të këtij grupi të dyshuar për veprat penale të lartpërmendura, dyshohet se është deputeti, Azem Syla, gjersa të tjerët janë: Shaban Syla, Shpresim Uka, Fahredin Gashi, Arton Vila, Hajrullah Berisha, Ilaz Syla, Driton Hajdari, Nuhi Uka - ish-kryetar i Gjykatës Komunale në Prishtinë, jes publike banesore, avokatët: Avni Maxhuni, Eduar Gashi, Mexhid Syla dhe Gazmend Gashi, Ramadan Uka - inxhinier, Avdyrrahman Brashori, Tefik Uka - zyrtar në Gjykatën Komunale të Prishtinës, Biserka Adianqiq - zyrtare certifikuese në Gjykatën Komunale të Prishtinës, dega në Graçanicë, Miliana Vlasaqeviq - zyrtare certifikuese në Gjykatën Komunale të Graçanicës, Lubisha Vujoviq, Aleksandër Bllagojeviq - polic i Kosovës, Vidosav Novakoviq - ish-polic i Serbisë, Bozhidar Lekiq, Dragan Maksimoviq, Shqipe Maxhuni, Elhame Uka, Lumnije Sopjani, Sami Maqedonci, Mustafë Haliti, Sali Bivolaku, Idriz Buza, Nyrtene Brajshori, Enver Çoçaj, Visar Ahmeti, Samir Haxhimusaj, Ndue Palushi, Shkelqim Latifaj, Jusuf Lataj, Agron Haxhosaj, Xhevahir Begolli, Nadir Shantir, Muharrem Kadriu, Ramadan Mavraj, Raif Hajdini, Valdet Shaqiri, Skender Potera, Arsim Hasani, Kujtim Bucaliu, Baki Abdullahu, Haki Hyseni, Jeton Govori dhe Besnik Rexha. Këtë operacion policor e ka konfirmuar edhe zëd-hënësja e EULEX-it, Besa Domi, e cila tha për gazetën "Kosova Sot" se të mërkurën është zhvilluar një operacion i gjerë në tërë territorin e Kosovës, nga ana e Policisë së EULEXit dhe Policisë së Kosovës,shkruan sot gazeta ''Kosova Sot''.

Grupi kriminal, aktiv që nga viti 2006

Ndërkohë gjatë ditës së djeshme, Prokuroria e Shtetit ka njoftuar për tërë rrjedhën e këtij aksioni. Sipas saj, operacioni në fjalë është kryer për kërkimin dhe arrestimin në kuadër të një hetimi penal, nga ana e PSRK-së, duke e zbatuar kësisoj urdhrin e një gjyqtari të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore të Prishtinës, të lëshuar më 26 prill të këtij viti. Sipas saj, operacioni është kryer në bashkëpunim në mes të Policisë së EULEX-it dhe Policisë së Kosovës, duke nënvizuar se rreth 350 policë kanë bastisur rreth 42 lokacione, që lidhen me 40 të dyshuar të një hetimi penal, që është duke vazhduar, derisa tha se 6 persona janë arrestuar gjatë këtij operacioni, dhe se ata do të paraqiten të njëjtën ditë para Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Më tej Prokuroria në njoftimin e saj thekson se hetimi ka të bëjë me një grup të madh të organizuar kriminal, i cili ka qenë aktiv nga viti 2006 e deri më sot, i përbërë nga qytetarë nga Kosova dhe nga Serbia, i kryesuar nga Azem Syla. "Anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar, secili me një rol të veçantë, për të privuar Kosovën nga pronat shoqërore në një vlerë përafërsisht prej 30 milionë eurosh, nëpërmjet veprimtarive kriminale, përfshirë falsifikimin e dokumenteve zyrtare dhe dhënien e ryshfetit për zyrtarët publikë. Të dëmtuarit janë buxheti i shtetit të Kosovës dhe familjet serbe të Kosovës, autorizimi i të cilëve për të dhënë parcelat e tokave me qira është keqpërdorur nga grupi i organizuar kriminal".

Më tej Prokuroria specifikon se një pjesë e konsiderueshme e parcelave të tokës të përfshira janë sekuestruar përkohë- sisht me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore të Prishtinës më 26 prill 2016, dhe, sipas saj, në radhë të parë ky proces thuhet se ka për qëllim ta rikthejë tokën në pronësi të pronarëve të ligjshëm publikë. "Rasti përfshin veprat penale të krimit të organizuar: pastrim parash, keqpërdorim i pozitës zyrtare, falsifikim i dokumenteve zyrtare, dhënie dhe marrje e ryshfetit. Disa të pandehur në hetim janë qytetarë serbë, që jetojnë në Serbi", ka potencuar Prokuroria e Shtetit.

Policia nuk e gjen deputetin e PDK-së

Prokuroria ka bërë me dije se udhëheqësi i grupit, Azem Syla, deputet i Parlamentit, është në arrati, ku, siç thotë Prokuroria, përkundër gjithë përpjekjeve të vazhdueshme të Policisë së Kosovës gjatë dhjetë ditëve të fundit për ta përcaktuar vendndodhjen e Azem Sylës, ai nuk është gjetur, pasi i ka ikur administratës, thuhet në fund të njoftimit nga Prokuroria e Shtetit. Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Azem Syla, i cili po kërkohet nga Policia e Kosovës, pasi për të është lëshuar fletarrest nën dyshimin për krim të organizuar dhe shpëlarje parash, është lajmëruar dhe ka treguar se nuk gjendet në Kosovë.

Lajmin se Syla është lajmëruar përmes telefonit, por se nuk ka treguar se ku gjendet, e ka bërë të ditur avokati i Sylës, Tomë Gashi. Më herët kam biseduar me të (Azem Sylen) në telefon. Me tha që 'nuk jam në Kosovë', por nuk më tregoi ku është", ka thënë Gashi. Ai ka treguar se nuk e ka pyetur klientin e tij fare se ku gjendet, për shkak se telefoni i tij mund të përgjohet dhe kështu organet e rendit në Kosovë mund të kërkojnë sjelljen me forcë të Sylës në Kosovë. "Unë nuk e di ku është saktë dhe nuk e pyeta për shkak të përgjimeve, sepse më pas mund ta ekstradojnë aty ku është", tha avokati Gashi. "Nuk më ka thënë se kur do të kthehet, por më ka thënë se 'me përmirësimin e motit do të kthehem për t'u dorëzuar dhe përballur me akuzat e pabaza'", ka thënë Gashi.

EULEX-i të mos bëjë spektakle

Analisti politik dhe juridik, Mazllum Baraliu, dëshiron të besojë se ky aksion i ndërmarrë nga ana e EULEX-it do ta ketë rrjedhën e duhur ligjore, e jo, siç tha ai, të jetë vetëm një spektakël i EULEX-it, siç ka ditur që të organizojë spektakle të tilla. Baraliu këmbëngul se kjo ndërmarrje mjaft gjithëpërfshirëse do të ishte një sinjal se kësaj radhe e kanë seriozisht edhe organet tona kompetente, për shkak, siç thotë, edhe të kushtit kryesor të papërmbushur ndaj BE-së, lidhur me luftën kundër korrupsionit, pikërisht tani kur pritet liberalizimi i vizave për qytetarët e vendit. "Por, unë mendoj se qytetarët e Kosovës presin që kësaj radhe të jetë një aksion dhe fillimi i aksioneve eventuale të tjera në luftimin serioz të korrupsionit dhe të zhvillimit të procedurave përkatëse nga EULEX-i, dhe jo si deri tani krahas lëshimeve dhe mosefikasitetit të organeve tona gjyqësore, edhe EULEX-i ka treguar shkarje, gabime, padrejtësi, por edhe qasje selektive dhe spektakulare ndaj rasteve të ndryshme, të cilat pothuajse në përqindjen më të madhe kanë përfunduar definitivisht me njerëz të pafajshëm dhe rrjedhimisht kjo nuk i ka bërë mirë as autoritetit të organeve tona, por as reputacionit të EULEX-it", është shprehur ai.

Deputeti Zafir Berisha, nga 'NISMA', për Kosovën ka pohuar për gazetën "Kosova Sot" se ajo që ndodhi të mërkurën më shumë ka të bëjë me atë, siç tha, që Isa Mustafa të arsyetohet në Bruksel se kinse jemi duke e luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Sipas tij, Azem Syla është 'miq për popa' i bërë nga Hashim Thaçi, duke e kujtuar këtu një fjalë popullore, derisa tha se në rast se ka hajdut, i cili duhet shkuar në burg është pikërisht Hashim Thaçi.

Më tej, Berisha shtron dilemën se si paska mundësi që Azem Syla të bëjë tërë ato që po thuhen nëpër medie publikisht, teksa në anën tjetër kinse Hashim Thaçi nuk paska qenë në dijeni për asgjë lidhur me këtë. " Kjo është më shumë se qesharake, kështu që kësisoj e mendoj këtë spektakël që ka ndodhur dje. Hashim Thaçi këtë vend e ka qeverisur që nga 2008-a dhe medemek nuk paska ditur asgjë deri më tash", ka deklaruar ai.

Shumë bastisje, pak të arrestuar

tuar Analisti Haki Abazi në një prononcim për gazetën "Kosova Sot" thotë se duke pasur parasysh përvojën që e kemi si me EULEX-in, ashtu edhe me drejtësinë kosovare, pa parë rezultate konkrete përfundimtare, nuk shpreson se ky është një veprim përmbajtësor në realizimin e drejtësisë dhe gjykimin e njerëzve të inkriminuar në rastet kriminale si këto që janë paraqitur dje, por edhe të tjerat, të cilat janë përfolur për një kohë të gjatë.

Ajo që lë dyshime dhe që është qesharake në këtë aspekt, sipas tij, është fakti i bastisjeve në mbi 40 vende, teksa janë arrestuar vetëm 6 persona në tërë këtë proces. "Çuditërisht sikur në barsoleta disa nga ta janë të PDKsë dhe ka edhe të LDK-së, që njëfarë forme kjo është një balancim i drejtësisë, por edhe selektive për të mos e dëmtuar njërën anë apo tjetrën. Për mua janë indikacione që në fakt ky veprim të lë përshtypjen se kemi të bëjmë me një formë tjetër të zgjedhjes para drejtësisë të njerëzve të dyshuar për inkriminime në krime në Kosovë, dhe ma zvogëlon edhe më tutje shpresën se në fakt ka ndryshuar në mënyrë përmbajtësore qasja ndaj atyre që e konsiderojnë veten mbi ligjin". Tutje ai nënvizoi se Kosova për një kohë të gjatë është duke vuajtur nga keqpërdorimi i pasurisë publike, por edhe nga keqpërdorime të tjera nga fuqia politike e personave të caktuar.

Thaçi e Veseli mirëpresin aksionin

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka mirëpritur aksionin e Policisë së Kosovës dhe EULEXit për arrestimin e të dyshuarve për përfshirje në krim të organizuar. "E përshëndes dhe mbështes fuqishëm aksionin e organeve kombëtare dhe ndërkombëtare të rendit dhe ligjit", është shprehur presidenti Thaçi. "Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është çelësi i ndërtimit të shtetit demokratik e të drejtë, çelësi i së ardhmes sonë evropiane", ka shtuar ai.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka komentuar aksionin e EULEX-it dhe Policisë së Kosovës, për arrestimin e ish-deputetit Azem Syla, i dyshuar për korrupsion dhe shpronësim të pronave. Veseli ka thënë se para ligjit të gjithë janë të barabartë, dhe se gjykatësit e prokurorët duhet ta bëjnë punën e tyre. "Jemi përcaktuar për shtet ligjor, t'i japim mbështetje të fuqishme përpjekjeve për të vënë shtet ligjor. Prokuroria dhe gjyqësia ta kryejnë punën në mënyrë të pavarur, dhe në të njëjtën kohë të presim epilogun e vendimeve të tyre. Sido që të jetë, të gjithë do të jemi të barabartë para ligjit", ka thënë Veseli.  

(Kosova Sot)