Opozita po defaktorizohet

  • 28 April 2016 - 07:49
Opozita po defaktorizohet

Transferet në kampin opozitar, shenja krize

"Përçarja e opozitës dhe lënia në gjysmën e rrugës të kauzës 7- mujore, anulimi i protestës së marsit, largimi i figurave me ndikim në skenën politike, e bëjnë opozitën joserioze karshi qytetarëve të Kosovës. Me këto veprime jo të menduara mirë opozita ka dhënë një mesazh të keq, por që në zgjedhjet e ardhshme kjo mund t'i kushtojë shtrenjtë", ka thënë analisti Faik Krasniqi.

Qeverisje të dinjitetshme, për shtet me sovranitet, kundër marrëveshjeve të dëmshme, shkapjen e institucioneve nga krimi dhe korrupsioni, ishin zotimet e opozitës së bashkuar për shtatë muaj sa ishte bashkë. Në sytë e qytetarëve të Kosovës opozita e bashkuar shihej si shpresë për largimin e këtij pushteti dhe për një qeverisje të dinjitetshme, por tani e njëjta opozitë ka filluar të rrezikohet seriozisht. Analistët politikë konsiderojnë se defaktorizimi dhe humbja e fuqisë politike në radhët e opozitës ta filluar të shpërthej si pasojë e mungesës së demokracisë së brendshme politike, sjelljes arbitrare të liderëve politikë dhe të klientelave servile përreth liderëve partiakë. "Ngufatja e fjalës së lirë dhe mendimit ndryshe brenda subjekteve opozitare ka shkaktuar situata, ku në të shumtën e rasteve të anashkalohen individët e caktuar dhe vlerat demokratike nga proceset e vendimmarrjes, për të mos u ndalur me kaq, për të vazhduar ushtrimin e formave të shantazhit dhe kërcënimeve deri në largimin përfundimtar të individëve të caktuar nga partia!

Si rezultat i kësaj, muajve dhe javëve të fundit, përveç ndarjes fizike ka ardhur deri të defaktorizimi dhe humbja e fuqisë politike të subjekteve opozitare", ka thënë analisti politik, Florim Zeqa. Privatizimi i partive Edhe për Adlum Ramadanin brishtësia dhe jofunksionaliteti brenda subjekteve politike opozitare e ka zbehur rolin e opozitës. "Shfaqja autoritative e liderëve të subjekteve politike, e përcjellë në njëfarë forme me tendencat e ashpërsisë ndaj bashkë-aktorëve politikë po rrezikon njëkohësisht defaktorizimin dhe humbjen e fuqisë politike,shkruan sot gazeta ''Kosova Sot''.

Zhvillimet e fundit politike sollën në skenë një veprim që për njohësit e politikës thuajse ishte i pritshëm, ajo e tërheqjes nga subjektet politike e disa prej figurave lobuese dhe të rëndë- sishme të atyre subjekteve, kjo për faktin se interesat klanore të udhëheqësve privuan dhe u munduan të shkelin konceptet e atyre individëve, diskursi politik i të cilëve fatkeqësisht nuk ua shtoi aq sa dëshiruan apetitin për të ndarë të njëjtën rrugë drejt pushtetit', tha Ramadani për "Kosova Sot" 

Ai ka pohuar se udhëheqësit e subjekteve politike janë duke harruar faktin që partia është e anë- tarëve dhe jo e liderit dhe se ashpërsia dhe shkelja e koncepteve partiake janë duke zbehur dukshëm ndikimin tek elektorati dhe se në rast të zgjedhjeve të jashtëzakonshme ky koalicion parazgjedhor pa mëdyshje do të dalë me një rezultat të dobët.

"Mungesa e demokracisë së brendshme po i kushton subjekteve politike me largim të disa personaliteteve, të cilët lobuan dhe i kushtuan rëndësi imazhit të subjektit që përfaqësojnë, të cilët shfaqën para opinionit një të kaluar me etikë morale dhe profesionale, për dallim nga paraardhësit e tyre, të cilët 'zhvatën' e ndoqën politika propagandistike për t'ua lehtësuar udhëtimin drejt karrierës politike", tha analisti Adlum Ramadani.

Pazaret politike

Politologu Islam Krasniqi thotë se lëvizjet e fundit nëpër parti politike janë dukuri e re, pasi lëvizjet po ndodhin jo nga opozita në pozitë, por në një rrafsh krejtësisht të kundërt politik, ashpërsia e liderëve po nxit luftë ndëropozitare."Në mes të partive opozitare ka hyrë një përçarje, si pasojë e mungesës së demokracisë, ku deputetëve gjithçka u imponohet, s'ka rëndësi që i ka votuar populli. Lëvizjet në mes të anëtarëve të partive opozitare janë pazare politike, ku ata që kanë ndikim të vogël në parti apo s'kanë parime në jetën e tyre, shkojnë aty ku t'u paguhet më shumë, se qëllimi i tyre është vetëm paraja.

Zakonisht këto ndodhin edhe si pasojë e veprimeve të atyre anëtarëve të partisë, të cilët qëndrojnë në prapaskenë ose pas liderëve, me trysnitë e tyre, duke u bërë presion, e që u kufizojnë veprimet e tyre, ku deputetët duhet të mendojnë njësoj sikur lideri i tyre", tha Krasniqi për "Kosova Sot". Shqetësuese e sheh situatën brenda bllokut opozitar edhe analisti Faik Krasniqi. "Përçarja e opozitës dhe lënia në gjysmën e rrugës të kauzës 7-mujore, anulimi i protestës së marsit, largimi i figurave me ndikim në skenën politike, e bëjnë opozitën joserioze karshi qytetarëve të Kosovës.

Me këto veprime jo të menduara mirë opozita ka dhënë një mesazh të keq, por që në zgjedhjet e ardhshme kjo mund t'i kushtojë shtrenjtë. Prandaj, opozita duhet ta rregullojë këtë gabim, të ribashkohet dhe bashkë me figurat e shoqërisë civile dhe botës akademike këtë qeveri kriminale dhe të degraduar ta shporrë sa më parë nga pushteti. Në të kundërtën, përçarja e opozitës vetëm sa do t'ia zgjaste jetën këtij pushteti", ka thënë Krasniqi.

(Kosova Sot)